Kina sot lëshoi raketa me rreze të gjatë veprimi në ditën e dytë të stërvitjeve ushtarake në shkallë të gjerë rreth Tajvanit, transmeton Anadolu.
“Forcat tokësore të Komandës Lindore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze (PLA) kryen stërvitjet në ujërat në veri të Tajvanit në mëngjes”, tha zëdhënësi i komandës Li Xi, sipas agjencisë shtetërore “Xinhua News”.
Ai theksoi se stërvitjet kanë arritur “efektet e dëshiruara”. Stërvitjet që përfshijnë sulme ndaj objektivave detarë si dhe operacione anti-ajrore dhe anti-nëndetëse, u kryen sot në veri dhe jug të Tajvanit.
Shkatërruesit, fregatat, avionët luftarakë dhe bombarduesit kryen operacione, përfshirë sulme të simuluara ndaj objektivave detarë dhe ushtrime anti-ajrore dhe anti-nëndetëse. Stërvitjet testuan aftësitë për koordinimin det-ajër, bllokadën dhe kontrollin e integruar, sipas komandës së teatrit.
Sipas një videoje të publikuar në “China Military Bugle”, llogaria zyrtare e PLA-së në kompaninë amerikane të mediave sociale X tregon ushtarët kinezë duke lëshuar raketa dhe duke përdorur armatim të rëndë.
Ndikimi i stërvitjes me armë zjarri të ushtrisë kineze ishte brenda vijës 24 milje detare të Tajvanit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit.
Duke paralajmëruar kundër ndërhyrjeve të jashtme në Tajvan, Pekini nisi stërvitjet të hënën, disa ditë pasi SHBA-ja miratoi shitje rekord të armëve me vlerë mbi 11 miliardë dollarësh për Taipein.
