Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kina reagon ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Australisë

Kina reagon ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Australisë

Ambasada kineze në Australi hodhi poshtë të premten si “të pabaza” akuzat kundër Kinës të bëra nga ministrat e mbrojtjes dhe ata të jashtëm të Australisë dhe homologët e tyre amerikanë, pas bisedimeve në Uashington.

Në një deklaratë pas konsultimeve ministrore Australi – SHBA, të dyja vendet, shprehën shqetësimin për “pretendimet ujore të Kinës në Detin e Kinës Jugore që nuk kanë bazë ligjore”, dhe deklaruan synimin e tyre për të forcuar lidhjet me “partnerin e tyre kritik” Tajvanin.

Komentet nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara erdhën një ditë pasi ata njoftuan marrëveshjen për furnizimin e Australisë me nëndetëse bërthemore, si pjesë e një partneriteti të sigurisë që përfshin edhe Britaninë, të cilën Kina e denoncoi si intensifikim të një gare rajonale armatimi.

Australia dhe Shtetet e Bashkuara kritikuan gjithashtu imponimin e legjislacionit të sigurisë kombëtare nga Kina në Hong Kong vitin e kaluar, për të cilin ata thanë se kishte dobësuar sistemin e tij zgjedhor, kishte shtypur lirinë e medias dhe minuar formulën e ish – kolonisë britanike si “një vend, dy sisteme”, për të cilën ishte rënë dakord kur Hong Kongu u kthye nën sundimin kinez në 1997.

Ata gjithashtu shprehën “shqetësime të mëdha në lidhje me” fushatën e Kinës për shtypjen e ujgurëve “, një pakicë etnike kryesisht myslimane në rajonin Xinjiang të Kinës perëndimore.

Ambasada kineze i hodhi poshtë akuzat si një taktikë e panevojshme presioni.

“Kundërshtojmë me forcë akuzat e pabazuara dhe komentet e gabuara kundër Kinës për çështje që lidhen me Detin e Kinës Jugore, Xinjiangun, Hong Kongun, Tajvanin dhe çështje të tjera të lidhura me Kinën”, tha një zëdhënës i ambasadës kineze në Kanberra.

Qeveria e Tajvanit mirëpriti shfaqjen e mbështetjes nga Uashingtoni dhe Kanberra.

Duke folur pas takimeve në Uashington, Australia dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak. /voa

Exit mobile version