Forcat amerikane kanë njoftuar sekuestrimin e cisternës së naftës me flamur rus Marinera, e njohur më parë si M/V Bella 1, në Oqeanin e Atlantikut të Veriut për “shkelje të sanksioneve të SHBA-së”, transmeton Anadolu.
Komanda Evropiane në rrjetet sociale njoftoi se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Departamenti i Mbrojtjes koordinuan sekuestrimin.
Operacioni, thuhet në njoftim, u krye “në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga një gjykatë federale amerikane pasi u gjurmua nga USCGC Munro”.
“Bllokada e naftës së sanksionuar dhe të paligjshme venezuelase mbetet në fuqi të plotë, kudo në botë”, tha shefi i Pentagonit, Pete Hegseth.
Më tej, thuhet se operacioni ishte pjesë e shënjestrimit të anijeve që “kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Hemisferës Perëndimore” nga presidenti amerikan, Donald Trump. Kjo vjen mes përpjekjeve të SHBA-së për të zbatuar sanksione kundër dërgesave të naftës.
Sipas Wall Street Journal, SHBA-ja vendosi avionë P-8 Poseidon dhe luftanije AC-130J për të ndihmuar operacionin.
Fillimisht, anija cisternë i rezistoi përpjekjes së Rojës Bregdetare për kontroll nga Roja Bregdetare pranë Venezuelës në muajin dhjetor, përara se të errësohej duke fikur Sistemin Automatik të Identifikimit të anijes, duke ndryshuar emrin e saj dhe duke u ri-regjistruar nën flamurin rus.
CBS News raportoi se Moska reagoi duke dërguar një nëndetëse dhe mjete të tjera detare për të shoqëruar anijen Marinera.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë deklaroi se anija “po lundronte në ujërat ndërkombëtare të Atlantikut të Veriut nën flamurin shtetëror të Federatës Ruse dhe në përputhje të plotë me normat e së drejtës ndërkombëtare detare”, duke paralajmëruar se po i kushtohej “vëmendje qartësisht joproporcionale”.
SHBA-ja e sanksionoi anijen në vitin 2024 për përfshirje të dyshuar në transport të paligjshëm të naftës, të lidhur me naftë bruto iraniane dhe subjekte të tjera të futura në listën e zezë. Anija ishte duke u drejtuar për të ngarkuar mall në Venezuelë kur forcat e Rojës Bregdetare tentuan ta kontrollonin, por ekuipazhi kreu një kthesë të menjëhershme dhe u largua drejt Oqeanit Atlantik.
Venezuela i ka dënuar veprimet e SHBA-së duke i quajtur “pirateri ndërkombëtare”.
Tentativa për kontroll vjen disa ditë pasi SHBA-ja kreu një operacion ushtarak në Venezuelë për të kapur presidentin Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores.
