Ballina Artikuj Komentimi i ajetit: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke...

Komentimi i ajetit: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri…”

Allahu i Madhëruar thotë: “Mos iu qasni asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të parit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi. Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çash tokën, as nuk mund të arrish lartësinë e maleve?”[1]

Komenti:

Këto dy ajete fisnike, Allahu i Madhëruar i ka përmendur në kuadër të porosive të urta me të cilat i porositi njerëzit në suren “Isra”.

Në ajetin e parë, Kurani insiston në kultivimin e mendësisë shkencore të muslimanit, sepse ekzistojnë dy lloje logjikash:

1 – Logjika mitologjike e cila beson në iluzione, lëshohet pas besëtytnive, dëgjon çdo gjë që i thuhet dhe vrapon pas çdo thirrësi. Islami këtë logjikë e refuzon.

2 – Logjika tjetër është ajo që preferon Islami, gjegjësisht logjika që e pason argumentin dhe i nënshtrohet arsyes në çështjet materiale si dhe i shfrytëzon dhuntitë që i ka dhënë Zoti; dëgjimin, shikimin dhe zemrën. Këto janë rrugët e njohjes, sikur që thotë i Madhëruari: “Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa) për të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falenderues.”[2]

Nisur nga kjo, njeriu duhet ta shfrytëzojë të dëgjuarit e tij, sepse përmes kësaj shqise transmetohen informatat midis njerëzve. Me sy vrojtohen dhe bëhen eksperimente dhe mbi këto të dyja u ndërtua kulla e shkencave kozmike. Përmes zemrës-mendjes, njeriu e përdor logjikën dhe i nxjerr përfundimet prej premisave.

Këto shqisa janë dritarja përmes së cilës njeriu i vështron problemet e kësaj jete, gjithësisë, fesë, krijesat e Zotit si dhe urdhrat dhe ndalesat e Tij.

Për këtë, ai nuk guxon t’i neutralizojë apo t’i shpërfillë e t’i pasojë dyshimet dhe iluzionet apo dezinformatat dhe paragjykimet. Kjo dhe shumë ajete kuranore mbarojnë në këtë mënyrë: “a nuk dëgjoni” “a nuk shikoni” “a nuk logjikoni”?

Ekziston një dallim i madh ndërmjet besimtarëve të udhëzuar dhe mosbesimtarëve të humbur. Të fundit i kanë neutralizuar instrumentet e njohjes dhe udhëzimit që iu falën ashtu që nuk mund ta kryejnë funksionin e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.”[3]

Nisur nga kjo, ajeti që na tërhoqi vërejtjen që mos t’i lëmë pas dore këto fuqi, dhe Allahu i Madhëruar iu drejtua njeriut duke i thënë: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri..” Me fjalë të tjera, mos u fut në atë për të cilën nuk ke njohuri, që pastaj t’i pasosh paragjykimet apo iluzionet dhe besëtytnitë, por përdore veshin, syrin dhe zemrën tënde, sepse Allahu do të kërkojë prej teje përgjegjësi për këto shqisa: “për të gjitha këto ka përgjegjësi”

Kjo shkurtimisht është domethënia e ajetit të parë.

Ndërsa përsa i përket ajetit të dytë: “Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çash tokën, as nuk mund të arrish lartësinë e maleve?” do të thotë:

“Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje”: gjegjësisht me kryelartësi dhe komplekse, mahnitje dhe mëndjemadhësi, sepse kjo nuk guxon të bëhet nga besimtarët dhe nuk është mënyrë e të ecurit të robërve të Zotit, sepse Allahu i Madhëruar i ka cilësuar robërit e Vet se “ecin nëpër tokë të qetë”

Pse ec me mëndjemadhësi? A mund ta çash tokën? Sado që ta zvarrisësh këmbën tënde të tokë nuk do të mund ta arrish atë. Sado që ta zgjasësh qafën, nuk mund të arrish lartësinë e maleve. Për këtë, për ty më mirë është që të ecësh me modesti, përulësi, qetësi dhe butësi.

Mbi tokë ecën vetëm modesti, sepse nën të ka shumë njerëz që kanë dashur të arrijnë edhe më lartë se ti!

Nëse je me autoritet, famë dhe imunitet dije se shumë njerëz kanë vdekur që kanë patur aspirata edhe më të mëdha se ti!

Për këtë, njeriu duhet të ecë me modesti, pa marrë parasysh a udhëton me veturë apo në këmbë. Ka disa njerëz të cilët tentojnë ta rrëmbejnë tokën me mëndjemadhësi me veturat e veta, sepse ngasin vetura të shtrenjta dhe luksoze, për atë edhe nuk i respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Ata me këtë sikur dëshirojnë të mposhtin çdo gjë që u del përpara në rrugë ose fluturojnë pa krahë.

Kush vepron kështu, ai ec nëpër tokë me mëndjemadhësi e nuk ec i qetë, ndërkaq pjesa më e madhe e aksidenteve që ndodhin, për fat të keq shkaktohen nga ata që ecin nëpër tokë me mëndjemadhësi.

Besimtari i cili është i edukuar në frymën e Kuranit, duhet t’i ketë parasysh këto, duhet të ecë mbi tokë me qetësi, e jo me mëndjemadhësi e kryelartësi, sepse Profeti (a.s) ka thënë: “Kush e mendon veten shumë të madh dhe ec me kryelartësi, e takon Zotin e Vet të hidhëruar në të.”[4]

Ky ajet u përmend në këtë vend e po ashtu përmendet edhe në porositë që Lukmani ia dha birit të tij në ajetin: “Dhe mos e shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mëndjemadh e që shumë lavdërohet.”[5]

Autor: Dr. Jusuf Kardavi (r.a)

Përktheu: Bashkim Aliu

[1] – Sure Isra: 36-37.

[2] – Sure Nahl: 78.

[3] – Sure A’raf: 179.

[4] – Ahmedi. Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.

[5] – Sure Lukman: 18.

Exit mobile version