Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur intervistimin e disa komisionerëve nën dyshimin për manipulim të votave.
Komisionerët që janë duke u intervistuar aktualisht janë nga komunat e Junikut dhe Deçanit, raporton Tëvë1.
“Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti. Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësve”, thuhet në komunikatë.
Siç ka njoftuar Prokuroria, autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po ndërmerren me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.
