Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Komuniteti turk në Zvicër proteston kundër djegies së Kuranit në Suedi

Komuniteti turk në Zvicër proteston kundër djegies së Kuranit në Suedi

Komuniteti turk në Zvicër protestoi sot kundër djegies së kopjes së librit të shenjtë Kuranit në Suedi në fundjavë, raporton Anadolu Agency (AA).

Rasmus Paludan, një politikan danez i ekstremit të djathtë, dogji të shtunën një kopje të Kuranit jashtë ambasadës turke në Stokholm nën mbrojtjen e policisë dhe me lejen e autoriteteve.

Kryetarët dhe drejtuesit e organizatave joqeveritare turke në Zvicër morën pjesë në protestën e udhëhequr nga Shoqata Zvicerano-Turke, një organizatë ombrellë e OJQ-ve turke në Zvicër, para ambasadës suedeze në Bern.

Në një deklaratë në emër të protestuesve, presidenti i Shoqatës, Suat Şahin, tha se dënojnë ashpër “sulmin e ligë” kundër Kuranit.

“Fakti që ky aksion provokues antiislam që synoi muslimanët dhe fyu vlerat tona të shenjta u lejua nën emrin e lirisë së shprehjes dhe që një veprim i tillë u krye nën mbikëqyrjen e policisë, ka mërzitur dhe lënduar thellësisht komunitetin turk zviceran, njashtu sikurse të gjithë muslimanët”, tha Şahin.

Ai më tej tha se janë të shqetësuar për nivelin alarmues që kanë arritur aktet islamofobike, raciste dhe diskriminuese në Evropë. Mosndëshkimi për akte të tilla do të inkurajonte armiqtë e Islamit, shtoi ai.

Şahin u bëri thirrje autoriteteve suedeze që të marrin masat e nevojshme ndaj autorëve të këtij akti dhe të marrin masa që të mos përsëriten akte të ngjashme.

Më vonë, ai la kopje të deklaratës në gjuhën turke dhe atë gjermane në kutinë postare të ambasadës suedeze në Bern.

Gjatë protestës u morën masa sigurie brenda dhe rreth ambasadës.

Exit mobile version