Ballina Lajmet Kosovë Konfirmohet sëmundja e murtajës së deleve në Kosovë

Konfirmohet sëmundja e murtajës së deleve në Kosovë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se pas kontrolleve të vazhdueshme në terren është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e ruminantëve të vegjël) në një fermë dele në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.

“Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar një rast me PPR pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe zbatimit të masave për kontrollin e sëmundjes,” thuhet në njoftimin e AUV-së.

Nuk përbën rrezik për njerëzit

Sipas AUV-së, kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu.
“PPR nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve. Megjithatë, ajo shkakton dëme të mëdha në shëndetin e kafshëve, rrit ngordhshmërinë dhe ka ndikim të rëndë në ekonominë blegtorale,” ka sqaruar Agjencia.

Masat e marra

Për parandalimin e përhapjes së PPR-së, janë ndërmarrë masa të menjëhershme:
kontrolli dhe mbikëqyrja e zonës së prekur,
asgjësimi i kafshëve të prekura,
kufizimi i lëvizjes së kafshëve drejt zonave të tjera,
njoftimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me fermerët lokalë.

“AUV është duke punuar ngushtë me shërbimet veterinare në terren për të kufizuar përhapjen e kësaj sëmundjeje. Bashkëpunimi me fermerët është kyç,” thuhet më tej në komunikatë.

Agjencia u bën thirrje fermerëve dhe qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë menjëherë në rast të shfaqjes së simptomave te kafshët.

“Kur shfaqen shenja klinike si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni apo kollitje e vazhdueshme, ato duhet të raportohen menjëherë te organet kompetente,” thekson AUV.

Për fermerët, rekomandimi kryesor është respektimi i masave dhe shmangia e blerjes së kafshëve nga ferma të tjera pa njohur statusin e tyre shëndetësor.

“Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të parandalojmë përhapjen e kësaj sëmundjeje dhe të mbrojmë blegtorinë tonë,” ka deklaruar AUV.

Exit mobile version