Ballina Lajmet Kosovë Konjufca: Konsensus për president ka vetëm për emër nga familja Jashari

Konjufca: Konsensus për president ka vetëm për emër nga familja Jashari

Pas përfundimit të konferencës për media me ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka folur edhe për çështjen e kandidatit të ardhshëm për president të Kosovës.

Konjufca deklaroi se, deri më tani, i vetmi emër që ka prodhuar pritje pozitive dhe konsensus të gjerë në shoqëri është një kandidat nga familja Jashari.

“Që të gjithë e kanë konsideruar dhe është në konsensus të partive politike deri më tash, të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari”, tha Konjufca.

Ai theksoi se nuk mund të flasë për gatishmërinë e familjes Jashari për një kandidaturë të tillë, duke shtuar se për këtë çështje duhet të pyetet vetë familja.

“Nuk mund të flas nëse ka vullnet nga familja Jashari. Për këtë duhet të shkoni atje dhe të pyesni”, u shpreh ai.

Deklarata e Konjufcës vjen në kohën kur në skenën politike kanë nisur diskutimet për emrin e presidentit të ardhshëm, ndërsa familja Jashari gëzon respekt të veçantë në opinionin publik.

Exit mobile version