Ballina Lajmet Kosovë Konjufca pas takimit me homologun belg: Presim anëtarësim të shpejtë në KE

Konjufca pas takimit me homologun belg: Presim anëtarësim të shpejtë në KE

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, pas takimit të zhvilluar të enjten me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim të Belgjikës, Maxime Prévot, ka deklaruar se është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve.

Në konferencën e përbashkët për media, Konjufca ka bërë të ditur se i ka shprehur ministrit belg vlerësimin për mbështetjen e Belgjikës gjatë procesit të heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Gjatë takimit produktiv që e patëm diskutuam për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe në të gjitha fushat e tjera të vendeve tona, veçanërisht në politikën e jashtme, fushën e sigurisë dhe atë të mbrojtjes. Në fushën e politikës së jashtme, Belgjika është një nga partnerët më të rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian dhe në këtë frymë ia shpreha vlerësimin tim më të lartë zëvendëskryeministrit Prévot për mbështetjen e tyre gjatë procesit për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, që ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara në aspiratat tona evropiane”, ka thënë ai.

Konjufca ka shtuar se në takim ka theksuar pritjet e Kosovës në proceset integruese, veçanërisht sa i përket marrjes së pyetësorit nga Bashkimi Evropian.

“Në të njëjtën kohë e theksova pritjen që ka Kosova sa i përket proceseve integruese, në radhë të parë marrjen e pyetësorit nga ana e BE-së, çështje që ka mbetur e pazgjidhur për rreth tre vjet e gjysmë. Mbështetja që ka dhënë Belgjika në proceset integruese të Kosovës deri më tani ka qenë shumë e rëndësishme dhe presim që kjo të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme, si drejt Këshillit të Evropës, ashtu edhe në qartësimin e rrugës sonë drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Konjufca.

Exit mobile version