Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Konkurroi në Inspektoratin e Policisë, ia humbën diplomën për ta eliminuar nga...

Konkurroi në Inspektoratin e Policisë, ia humbën diplomën për ta eliminuar nga gara

Studimet në degën e Kriminalistikës dhe pritja për tri vite rresht që të konkurrojë në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), në pozitën e inspektorit, siç duket i kanë shkuar huq Fatmir Osmanit. 

Vushtrriasi 39 vjeçar ka rrëfyer për Telegrafin për atë që ai i quan “dallavere”, që janë bërë atij nga ana e menaxhmentit të IPK-së, gjatë kohës që ai kishte konkurruar në pozitën e inspektor/hetues.

“Unë ka tri vite që e kam pritur momentin që të jem pjesë e konkursit të IPK-së, madje kam përfunduar studimet në kriminalistikë, që të jem sa më afër kushteve që kërkohen nga ky institucion për tu bërë pjesë e tij”, ka theksuar Osmani.

Sipas tij, ai ka aplikuar me datën 1 gusht të këtij viti, në konkursin për inspektor/hetues, duke shtuar se po të njëjtën ditë janë pranuar dokumentet, të cilat kanë qenë parakusht për aplikim.

“Në momentin kur unë i dorëzova materialet e nevojshme, ata ma ofruan numrin e protokollit si dëshmi  që unë i kam dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

Njëri nga kushtet kryesore në këtë konkurs ka qenë diploma universitare, një kopje të së cilës e dorëzova në IPK, respektivisht te pranuesi B. Shala – pjesë e burimeve njerëzore”, ka shtuar Osmani, për Telegrafin.

Më tutje ai ka theksuar se kishte pritur për javë të tëra që ta ftojnë në intervistë, sepse rregullorja e parasheh shumë qartë një gjë të tillë.

“Kaluan ditë, me pas edhe javë, dhe nuk më ftoi askush. Fillova të shqetësohem dhe shkova direkt në IPK, duke kërkuar sqarime se çfarë ka ndodhur me aplikacionin tim.

Nuk mund të besoja kur më thanë se arsyeja se pse nuk më kanë ftuar në intervistë, ishte sepse unë nuk e kisha dorëzuar diplomën.

Ata thjeshtë e kanë larguar atë nga CV-ja ime. Menjëherë reagova dhe kam kërkuar takim deri më drejtorin Hilmi Mehmeti, i cili më ka dëshiruar vetëm fat”, ka theksuar ai.

Osmani më tutje ka treguar sipas rregullores të procedurave të rekrutimit të shërbimit civil të Republikës së Kosovës 02/2010, e lëshuar nga Ministria e Administratës së Pushtetit Lokal (MAPL), shpallësit e konkursit obligohen që ta pajisen me numrin e protokollit, e që aty evidentohen të gjithë dokumentet.

Sipas tij, shkeljet ligjore kanë ndodhur edhe në rastin kur i kanë ftuar kandidatët tjerë në intervistë, duke shtuar se “ata janë ftuar tek pas tri javëve, e që në fakt, rrethi i ngushtë nga 600 persona që kanë konkurruar, parashihet sipas rregullores, duhet të thirren pas pesë ditëve”.

Në pyetjen që ia ka dërguar Telegrafi IPK-së, ku ka kërkuar emrat e personave/kandidatëve që kanë paraqitur ankesa gjatë konkursit/eve, përgjigja e tyre ka qenë bazuar në Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Kosovës, i cili ligj përcakton, sipas tyre, të drejtat dhe përgjegjësitë, parimet dhe masat lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, Inspektorati Policor i Kosovës nuk mund të përcjell apo publikojë emrat dhe mbiemrat e ankuesve.

Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se “bazuar në ligjin për buxhetin, planin zhvillimor strategjik dhe në nevojat për rritjen e burimeve njerëzore, në korrik të këtij viti ka hapur konkursin  për gjashtë pozita të shërbyesve civil dhe konkursin për plotësimin e vendeve të lira të punës për 17 inspektor/hetues”.

“Për konkursin për pozitat e shërbyesve civil  kanë përfunduar të gjitha testet duke përfshirë testin me shkrim dhe intervistën me gojë dhe në ueb faqen e IPK-së janë bërë publike listat e kandidatëve të suksesshëm dhe ju njoftojmë se IPK është duke pritur afatin ligjor prej 30 ditëve nëse ka ndonjë ankesë”.

Më tutje në këtë njoftim IPK-ja ka treguar se “konkursi për plotësimin e vendeve të lira të punës për 17 inspektor/hetues, ju njoftojmë ka përfunduar vetëm testi me shkrim dhe listat e kandidatëve të suksesshëm që kanë kaluar testin me shkrim janë bërë publike në ueb faqen zyrtare të IPK-së”.

“Divizioni për Burime Njerëzore është duke bërë përgatitjet për fazën e dytë të këtij procesi të rekrutimit që është testi fizik”, ka përfunduar ky njoftim./Mesazhi/

Exit mobile version