Ballina Autorë Opinione Konstantat shqiptare përballë “brishtësive” gjeopolitike

Konstantat shqiptare përballë “brishtësive” gjeopolitike

Bardhyl Zaimi

Dihet tashmë se aleanca e shqiptarëve me SHBA-të është historike, ndërkohë që aleanca me Bashkimin Europian si hapësirë vlerash gjithashtu mbetet jetike dhe paradigmatike për shqiptarët. Të dy këto aleanca janë komplementare, sepse përkojnë me trashëgiminë historike, por edhe me projeksionin paradigmatik identitar të shqiptarëve. Ky orientim mbetet i betonuar për sa kohë që qenësia shqiptare historikisht synon këtë hapësirë që i siguron stabilitet, siguri dhe, mbi të gjitha, plotni gjallnie të pakufizuar në ëndrrën për të qenë komb i zhvilluar he i lirë për ta projektuar të tashmen dhe të ardhmen e vet.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Ekuilibrat globalë mes fuqive të mëdha, por edhe shteteve tjera që pretendojnë një prani dhe protagonizëm më të fuqishëm, gjithnjë janë në lëvizje e sipër, në një dinamikë të përhershme. Gjithë historia njerëzore përshkohet pikërisht nga kjo ambicie protagonizimi global, ndërkohë që rirreshtimet kanë ekzistuar gjatë gjithë kohës. Ky protagonizëm dhe ky ekuilibër global gjithnjë është determinuar nga faktorë të shumtë, siç janë: gjeografia, demografia, fuqia ushtarake, psikologjia e dominimit dhe që nga Lufta e Dytë Botërore edhe nga një element krejtësisht i ri, nga posedimi i bombave atomike, të cilat e komplikojnë edhe më shumë skenën ndërkombëtare, gjegjësisht e bëjnë të brishtë deri në paparashikueshmëri marramendëse. Protagonizimi dhe ndikimi ekonomik gjithashtu mbetet një faktor vendimtar në performimin e ekuilibrave globalë.

Sigurisht, kur flasim për ekuilibra globalë, ne gjithnjë kemi parasysh protagonizimin e shteteve të fuqishme, të cilat janë pjesë e lëvizjeve të mëdha, janë aktorë në skenën ndërkombëtare në krijimin trendeve globaliste. Duke pasur parasysh parametrat e sipërpërmendur në peizazhin e ekuilibrave globalë, shfaqen shtete tradicionalisht të fuqishme, të cilat kërkojnë me ngulm ndikimin e tyre në një kontekst tjetër kohor, në një kontekst që tashmë shfaqet i komplikuar dhe me shumë të panjohura. Shtetet e fuqishme kanë të ndërtuar me kohë strategji afatgjate dhe i zbatojnë ato në vazhdimësi dhe në përputhshmëri me interesin e tyre. Kështu ka qenë gjatë gjithë kohës dhe kështu vazhdon të jetë edhe tani. Mbase mund të duket deprimuese, por skena ndërkombëtare historikisht ka lëvizur në këtë drejtim me evoluime në epoka të caktuara. Realisht, për popujt e vegjël, këto mengene të ekuilibrave globale në periudha të caktuara kanë qenë fatale, siç është rasti edhe me shqiptarët.

Pikërisht në suaza të këtyre zhvillimeve në skenën ndërkombëtare, shqiptarët e kanë njohur trajektoren e tyre të zhvillimit historik, që nga antikiteti dhe deri më sot. Faktet historike flasin për një rrugëtim të dhimbshëm, për një trajektore historike ekzistence, që ka njohur shumë pasoja dhe shumë lëndime, shumë tkurrje dhe fatalitet. Hijet e perandorive dhe bërrylat e shteteve të fuqishme në kohët më të vonshme ua kanë pamundësuar shqiptarëve një zhvillim normal në tërësinë e ekzistencës së tyre, në gjeografinë historike dhe në gjithë atë që nënkupton habitus identitar.

Sidoqoftë, përtej këtyre golgotave të vazhdueshme historike, shqiptarët kanë arritur të mbijetojnë, të manifestojnë me shumë përpjekje ekzistencën dhe praninë e vetë në stade të ndryshme të evoluimit të skenës ndërkombëtare, me eklipse, siç ka qenë regjimi gati pesëdhjetëvjeçar komunist, që shënon fazën e një rreshtimi tërësisht të gabuar historik të klasës komuniste në trajektoren e historisë shqiptare. Një rreshtim që, realisht, e asgjësoi subjektivitetin historik shqiptar, duke ndërprerë fatalisht kontinuitetin dhe evolutën e identitetit autentik shqiptar dhe duke krijuar kështu një boshllëk ekzistence aktive dhe dinamike, që pati pasoja të papërshkueshme për shqiptarët në periudhën e mëpasme dhe deri më sot. Pikërisht këtu ka një keqkuptim, gati primordial, për sa i përket këtij diskontinuiteti historik dhe politik, sepse, paradoksalisht, ndërlidhet me rreshtimin me aleatët kundër fashizmit, që mbetet një pohim i drejtë, por gjithnjë ka një “por”. Ky reshtim ngërthen brenda vetes shumë ndërkëmbëza, që më pas e përligjën një “aleancë” ahistorike ndikimesh dhe izolimi me botën bolshevike gjithmonë të pozicionuar kundër shqiptarëve.

Kjo në vija të trasha është trajektorja e lëvizjes së historisë shqiptare në skenën ndërkombëtare të kombeve, në rastin e shqiptarëve të një kombi të vogël, që ka njohur eklipse mijëvjeçare pushtimesh dhe sakatimesh, që vijnë edhe në këtë kohë gjithashtu me një potencë rrezikshmërie për fatin e tyre.

Gjithnjë në sinkron me zhvillimet historike, me idenë e dinamikave politike dhe ekonomike globale, edhe në kontekstin aktual, shqiptarët ndodhen përpara një sfide thellësisht serioze. Pa krijuar dramacitet të panevojshëm, shqiptarëve gjithsesi se iu duhet një ridimensionim kreativ i gjallnisë së tyre në koordinatat gjeostrategjike, në gjithë këtë shpërfytyrim të frikshëm ekuilibrash globalë, që vijnë si hije kërcënuese luftërash dhe krizash të ndryshme. Në esencë, shqiptarët patjetër duhet të mbrojnë konstantat e orientimit properëndimor, në fakt të latojnë politikisht dhe aspektin kulturor aleancën e pandërprerë me SHBA-të dhe Bashkimin Europian. Me dinjitet të plotë, shqiptarët duhet t’i përbrendësojnë pikërisht vlerat që promovohen nga demokracitë e vendeve europiane, pavarësisht nëse në momente të caktuara mund të shfaqen keqkuptime, më shumë për fajin tonë.

Gjithë ky orientim mbetet trashëgimi historike dhe fatum i përhershmërisë shqiptare, për shkak se gjithë substanca e shqiptarëve është e mbrujtur me këtë kod identifikimi identitar. Pikërisht në këtë sens duhet shikuar edhe zhvillimet brenda hapësirës shqiptare, si të ndërvarura plotësisht nga këto koordinata orientuese, të cilat po kalojnë aktualisht nëpër sfida të shumta, turbulenca nga më të ndryshmet, por edhe sprovash të brendshme për të mëkuar substancën politike dhe kulturore properëndimore. Kjo, mbi të gjitha, nënkupton kultivimin e një vizioni të qëndrueshëm politik, që është plotësisht në sinkron me këtë sistem vlerash, që siguron progres dhe përhershmëri shqiptare.

Dihet tashmë se aleanca e shqiptarëve me SHBA-të është historike, ndërkohë që aleanca me Bashkimin Europian si hapësirë vlerash gjithashtu mbetet jetike dhe paradigmatike për shqiptarët. Të dy këto aleanca janë komplementare, sepse përkojnë me trashëgiminë historike, por edhe me projeksionin paradigmatik identitar të shqiptarëve. Ky orientim mbetet i betonuar për sa kohë që qenësia shqiptare historikisht synon këtë hapësirë që i siguron stabilitet, siguri dhe, mbi të gjitha, plotni gjallnie të pakufizuar në ëndrrën për të qenë komb i zhvilluar he i lirë për ta projektuar të tashmen dhe të ardhmen e vet.

Sigurisht, në kontekstin aktual, ekuilibrat globalë shfaqen të komplikuar dhe me aktorë në skenën ndërkombëtare që kërkojnë prani dhe ndikim. Por, në gjithë këtë shfytyrim gjeopolitik, që fatkeqësisht vjen edhe me luftëra dhe kërcënime për të ardhmen nga shtete agresive, pozicionimi i shqiptarëve duhet të jetë pa ekuivokë përkrah vendeve dhe demokracive perëndimore, sepse vetëm kjo rrugë siguron ekzistencë të lirë dhe dinjitoze në lartësinë e pritjeve historike.

Gjithsesi, në këtë shpërfytyrim ekuilibrash globalë, shpërfaqen dy botë, dy koncepte dhe detyrimisht dy perceptime mbi lirinë dhe dinjitetin kombëtar dhe njerëzor. Në njërën anë, është koncepti autoritar i vendeve, siç është Rusia, që historikisht ka treguar agresivitet ndaj shqiptarëve dhe në anën tjetër është konceptim i vlerave demokratike properëndimore që ofron dinjitet kombëtar dhe njerëzor, që ofron zhvillim të papenguar, liri kultivimi dhe komunikimesh brenda hapësirës gjuhësore, kulturore dhe ekonomike shqiptare.

Për më tepër, “krizat” që mund të shfaqen me aleatët tanë historikë më tepër prodhohen nga brendësia e jonë e papërgjegjshme, e cila nuk arrin të ngrihet në lartësinë e standardeve dhe vlerave që duan t’i promovojnë vendet properëndimore. Pikërisht në këtë drejtim shqiptarët do të duhet të punojnë shumë më tepër me veten e tyre, në drejtim të kultivimit të një sistemi vlerash të pakorruptueshëm, që i afron me demokracitë dhe, përgjithësisht, me shoqëritë properëndimore. Sigurisht, plagët shqiptare janë të shumta dhe të hershme, prandaj do të duhet kohë që të shërohen. Në këtë drejtim nevojitet një angazhim shumë më i madh i botës akademike, e gjithë atyre që kanë mendim, që kanë njohje kompetente mbi problematikat të caktuara, për t’i dhënë kështu një shtysë kultivimit të substancës kombëtare, për t’i dhënë asaj një cilësi tjetër në sinkron me horizontin e vlerave europiane. Në këtë aspekt duhet shumë më tepër të punojmë me veten, sepse sa herë që ne e drejtojmë gishtin nga të tjerët, ne në fakt e përjashtojmë keqas mundësinë që gjërat të ndodhin për fajin tonë. Gjithçka fillon nga vetja, nga ajo vërtetësi që duhet t’ia pranojmë vetës dhe me të cilën duhet të gjallnojmë në ëndrrën për të ngjitur në nivele tjera lirie, dinjiteti, integriteti dhe kultivimi të pandërprerë.

Exit mobile version