Fjalimi plot furça ndaj presidentit Trump, edhe avokat i hapur i tij
Kryeministri Rama shfrytëzoi një fjalim në themelimin e Bordit të Paqes në Uashington për t’i kujtuar SHBA-së, më saktë Presidentit Trump, fatin e lig që ka përfshirë krerët e UÇK-së, duke u akuzuar për krime lufte. Në fakt, Rama zgjodhi të perqëndrohej më tepër te Thaçi, si një ish-president.
“Më lejoni të kujtoj që Presidenti Donald Trump ndihmoi Kosovën dhe Serbinë për të arritur marrëveshjen për të gjetur paqen. Atëherë, Presidenti i Kosovës (Hashim Thaçi) nuk u lejua të udhëtonte në Shtëpinë e Bardhë për të firmosur atë marrëveshje në praninë e Presidentit Trump. Dhe kjo për shkak të të njëjtit prokuror që iu sul vetë Presidentit Donald Trump dhe u bë i famshëm botërisht për këtë.
Sot, Presidenti i Kosovës po kalon vitin e gjashtë në paraburgim, duke u gjykuar në Gjykatën Speciale të Hagës, të sponsorizuar nga shtete demokratike, disa prej të cilave të pranishme këtu dhe duhet të ndihen të turpëruar nga kjo lloj drejtësie ndërkombëtare.
Javën e kaluar, një tjetër prokuror kërkoi 45 vite burg për të, kërkesë që turpëron një komb të tërë”, tha Rama.
Ndërsa përsa i përket rolit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, një organizëm i themeluar për Gazën, Rama bëri avokatin e Trump-it në pjesën e dritëhijes së Bordit si zhbërës i OKB-së.
“Nuk më duket si përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por për të zgjuar atë gjigand agonizues. Të shpresojmë që do të ketë paqe. Të komplimentoj për rolin tuaj për t’i dhënë fund konflikti në Gaza”.
Dhe nuk kishte se si mos ta lëshonte gjuhën ndaj rezistencës palestineze, asaj që siç e ka bërë me turp Izraelin po bën me turp dhe të gjithë ata që e mbështesin.
“Kam propozuar që ky bord të ftojë të gjitha vendet për të kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për të krijuar infrastrukturë publike për fëmijë në Palestinë, të cilët janë edhe pengjet më të pafajshme të veprimeve lunatike të Hamasit”.
Dhe këtu vjen kontradita e thellë, pasi të nuk mundet hem të mbrosh luftën e UÇK-së e hem të dalësh një lufte të ngjashme kundër një shteti që në shumëçka ngjan si dy pika uji me Serbinë: gjenocidale njëra, gjenocidale tjetra; pushtuese njëra, pushtuese tjetra: gënjeshtare historike njëra, gënjeshtare historike tjetra; raciste njëra, raciste tjetra; mitsajuese njëra, mitsajuese tjetra e kështu me radhë. /tesheshi
