Ballina Artikuj Kontrolli i zemërimit në mënyrën islame

Kontrolli i zemërimit në mënyrën islame

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Sa herë keni bërtitur në prindërit tu? Sa herë keni qenë aq i zemëruar dhe i tërbuar sa për pak keni grushtuar dikë? A ju ndodhë shpesh kjo? Nuk jeni i vetmi!

Shumë njerëz nuk mund të kontrollohen dhe përlahen me tjerët, shpesh edhe me më të dashurit, prindërit, vëllezërit, motrat, bashkëshortët dhe bashkëshortet. Këtu do të përmendim disa prej shkaqeve që shkaktojnë zemërimin dhe mënyrat sit a mbizotërojmë zemërimin duke kontrolluar veten sipas mësimeve të Kur’anit dhe Sunnetit.
Kur Allahu i madhërishëm e krijoi njerëzimin, Ai krijoi shumë emocione dhe dëshira Brenda secilit individ të cilat ne i quajmë instinkte njerëzore.
Ato përfshijnë cilësitë pozitive, siç është vlerësimi i të vërtetës dhe praktikimi i saj, dashuria dhe empatia, nevojat e pastra fiziologjike, siç janë etja, uria dhe nevojat seksuale. Këtu janë të inkorporuar edhe disa ndjenja negative siç janë zemërimi, urrejtja të cilat rezultojnë me dhunë dhe depresion.
Allahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:
“(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” Ata thanë: “A do të vësh në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!” (El Bekare, 30)
All-llahu i madhërishëm tek ne i mbolli edhe disa mekanizma që të luftojmë me këto ndjenja negative.
All-llahu xh.sh. në Kur’an gjithashtu thotë:
“….njeriu (nga vetë natyra e tij) është i ngutshëm”. (El Isra, 11)
Në momentet e dobësisë ne i bindemi armikut tonë, shejtanit, i cili na sulmon “para, pas dhe anash” në mënyrë që të na largoj nga rruga e Allahut, duke na kthyer kah natyra shtazarake. Andaj zemërimi nga vet veti nuk është jo i natyrshëm, por shprehja e zemërimit në mënyrë të gabuar mund të shkaktoj probleme. Shtazët e egra dhe njerëzit e egjër dallojnë për nga dëshira e lirë.
Kur luani apo ujku është i tërbuar ai nuk mendon.
Kur njeriu zemërohet meqë është i provokuar, ai ka mundësin e zgjedhjes ta kontrolloj zemërimin e tij ashtu siç e mëson Kur’ani dhe Sunneti i Pejgamberit s.a.v.s. apo të harroj të gjitha këto dhe të bëhet shtazë e egër. Pra, zemërimi paraqitet në momentin kur ne nuk mund të kontrollojmë vetën, por shejtani e merr kontrollin mbi ne. Zemërimi është ndjenë natyrore. All-llahu i madhërishëm e mbolli tek ne këtë ndjenjë që të reagojmë ndaj atij që na dëmton, për ta ruajtur jetën tonë, pasurinë dhe familjen tonë. Por nuk guxojmë të tejkalojmë.
D.m.th. është në rregull njeriu me e ndie zemërimin, por është rrezik dhe Allahu nuk na lejon që të lejojmë që zemërimi të na udhëheqë ku të dëshiron (dhe mund të na çoj edhe deri te vrasja e tjetrit). Zemërimi bllokon të menduarit. Kjo është një ndjenjë e cila më së shumti i ndanë miqtë, ai ndalon të gjykuarit real dhe udhëheqë në depresion, çmenduri dhe poteza të gabuar për të cilët më vonë pendohemi.
Përse zemërohemi? Në pyetje është provokimi i papritur ose situate e papritur e cila shkakton frustrim dhe reaksion zemërimi.
Për derisa njeriu është i zemëruar mundë fizikisht ose në mënyrë verbale të anashkaloj personin që do, të lëndoj qenien tjetër, apo kafshën, ndërsa në fazën depresive të zemërimit mund ta lëndoj vetën ose të bëjë vetëvrasje.
Pejgamberi, s.a.v.s. e ka dhënë ilaçin për këtë me fjalët:
“Jepjani dorën njëri tjetrit se zemërimi largohet. Dhuroni njëri tjetri do të duheni, kjo do shlyej armiqësinë në mes jush”
Gjithashtu Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “Nuk është i fuqishëm ai i cili mposht armiqtë e tij. I fuqishëm është ai i cili përmbahet nga zemërimi”.
Kryerja e nevojave natyra;e, qoftë ushqimi ose seksi, janë parakusht i prevenimit të zemërimit. Shumë substance kimike dhe hormone ndikojnë në disponim dhe sjellje. Është e njohur që niveli i ulët i sheqerit në gjak (hipoglicemia) dhe hiperfunksioni i gjëndrës mbrojtëse shkaktojnë tejndjeshmëri te ndjenja e zemërimit. Duhet mbajtur baraspeshën e hormoneve për të mbajtur shëndetin shpirtëror.
Ne myslimanët pasojmë në shembullin e Pejgamberit s.a.v.s. apo jo? Por, kush është shembulli më i mirë i durimit se Pejgamberi i bekuar, paçja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi te?
Pejgamberi, s.a.v.s. i cili u dërgua për ta përsosë moralin tek njerëzit, i mësoi ta kontrollojnë zemërimin e tyre ndaj jobesimtarëve dhe i mësoi sit ë reagojnë në mënyrë adekuate. Ka qenë kundër zemërimit. Ne mendojmë përse mos të zemërohemi kur kemi një jetë kaq të vështirë, përplot peripeci por një ditë e Pejgamberit, s.a.v.s. pa dyshim ka qenë më e vështirë dhe përplot vuajtje sa tërë jeta jonë!
Mendoni 13 vjetët e tija në Mekë duke përhapur mesazhin e lart të islamit duke u përballur me torturat më të mëdha. Ishte ky njeri i cili në supet e tija mbante barrën e ardhmërisë komplete të njeriut. Por, përsëri ishte tolerant dhe kishte vetëkontroll dhe fuqi tu falë edhe atyre që ishin të ashpër dhe jo taktik ndaj tij.
Shembulli më i mirë i jetës së tij është kur shkoi në Taif, ku u prit me ofendime, lëndime me gurë sa që ishte i gjakosur, nuk kërkoi hakmarrje por udhëzim për ata. Ky ishte Pejgamberi, s.a.v.s. edhe pse ishte i zemëruar ndaj tyre, kishte vet disiplinë dhe arriti ti kontrolloj emocionet e tij, duke u falur sepse kuptoi se ata janë të humbur.
Njeri prej sahabëve kërkoi nga Pejgamberi s.a.v.s. ti tregoi një gjë e cila do t’i sjellë lumturi në këtë dhe në botën tjetër, ai u përgjigj: “Mos u zemëro”, (tre herë duke e përsëritur). Tjetri e pyeti: “çfarë do të më largoj prej hidhërimit të Allahut? Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Mos u zemro”.
I treti, tre herë e pyeti: “I Dërguari i Allahut më këshillo diç të mirë”, ndërsa Pejgamberu, s.a.v.s. u përgjigj: “Mos u zemro”. (Buhariu).
Një herë Pejgamberi, s.a.v.s. i pyeti sahabët “Kënd e çmoni në mesin tuaj më trimin?”. Ata u përgjigjën: “Ai i cili fiton në luftë duke e mposhtur armikun”. Pejgamberi, s.a.v.s. u përgjigj “Trim dhe i fuqishëm është ai i cili kontrollon zemërimin”.
Ai gjithashtu ka theksuar se zemërimi është sikurse zjarri i cili shkatërron përbrenda, por edhe mund tu futë në zjarrin e xhehenemit për shkak të dëmit që i shkakton dikujt në atë gjendje. Njeriu i zemëruar është si njeriu i lidhur. Në të dy rastet nuk dinë çfarë bëjnë, çfarë dëmi i shkaktojnë vetës apo tjerëve, Hasan el-Basriu ka thënë që njëra prej karakteristikave të besimtarit është që nuk lejon që zemërimi të mbizotëroj me te.
Duhet vërejtur dallimin në mes zemërimit dhe reaksionit natyral ndaj veprës së keqe.
Personi që nuk tregon kurrfarë ndjenje ndaj personit dhe verave të këqija është emocionalisht i zbrazët. Ekziston thënia: “E keqja lulëzon kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë që ti kundërvihen”. Andaj reaksioni ndaj padrejtësisë dhe veprimi kundër saj në mënyrë civilizuese është shprehje e arsyeshme e zemërimit. Me qenë neutral ndaj padrejtësisë është baras me përkrahjen e padrejtësisë.
Është i njohur shembulli i Aliut r.a. me armikun e mposhtur i cili i kishte pështyrë në fytyrë.
Kur Pejgamberi, s.a.v.s. ishte i zemëruar për shkak të një sjellje të keqe të dikujt, atë nuk e ka shprehur me gjuhë apo me dorë. Sahabët e dinin që është i zemëruar posa e vërenin fytyrën e tij e cila skuqej, në ballë vërehej djersa dhe heshte për disa momente duke e kontrolluar zemërimin.

Çfarë ndodhë në organizmin tonë gjatë zemërimit?

Zemra fillon me rrahë shpejtë (takikardi), tensioni arterial ngritët, rritet niveli i adrenalinës dhe noradrenalinës nga gjëndrat mbiveshkore. Fuqia fizike rritet, ndërsa bie fuqia shpirtërore. Mendja ynë dhe fuqia e gjykimit ndalen së funksionuari dhe reagimi ynë është joadekuat.

Si mund ta mposhtim zemërimin?

Tërësisht me e zhduk zemërimin është e pamundur dhe jo e natyrshme, bile edhe e dëmshme. Por, ajo që duhet bërë është të kontrollojmë këtë ndjenjë duke mos lejuar që të na udhëheqë në kahe të gabuara dhe në atë që feja ynë ndalon.
Në rend të parë duhet larguar nga ajo që na bënë të shurdhër dhe pa ndjenja. Disave ju ndihmon që të merren me diç tjetër për të larguar zemërimin. Të tjerëve u ndihmon dhikri dhe meditimi, por shumicës së njerëzve ju duhen disa metoda të sofistikuara.
Pejgamberi, s.a.v.s. këshillon gjatë zemërimit, të ndërrohet pozita e trupit. Kjo d.m.th. nëse qëndroni në këmbë duhet të uleni, nëse jeni ulur, ngrihuni në këmbë. Nëse kjo nuk ndihmon atëherë merrni abdes dhe përgatituni për namaz.
Kur jeni të zemëruar, mendoni në Allahun. Përkujtoni hidhërimin dhe dënimin e Allahut. A thua hidhërimi i Allahut është më i dobët se i juaji?
Dhe çfarë do të ndodhë sikur Ai të shprehë hidhërimin e Tij? Ne që kërkojmë falje tek Allahu i madhërishëm së pari duhet ti falim tjerët. Kur e falim dikë zemra juaj mbushet me qetësi.
Emrin e parë të Allahut që duhet përkujtua është Er-Rrahman dhe Er-Rrahim – Mëshiruesi, Mëshirbërësi. Vet Allahu ka thënë që mëshira e Tij dominon mbi hidhërimin e Tij. Në një hadith kudsi Ai thotë: “O i biri Ademit, kur të kaplon zemërimi, më përkujto Mua”.
Andaj, përkujtimi i Allahut do të na kthejë në binar të vërtetë. Njëri prej emrave të Allahut që duhet përsëritur është Ja Halim (Përdëllimtari). Namazi poashtu është ilaç efikas kundër zemërimit. Duhet përkujtua se jeta ynë e cila është tejet e dashur për ne është e përkohshme dhe nuk duhet harruar vdekjen. Nuk duhet shkatërruar jetën e përhershme për shkak të kësaj bote. Larja me ujë të ftohtë dhe dushi i ftohtë gjithashtu ndihmojnë që të qetësohemi.
Njeriu do të jetë i qetësuar vetëm kur vendos qetësin me veten e tij, me Allahun dhe mjedisin e tij. Zemërimi është rrënjë e ithët me çmim të lartë, ai shkatërron shëndetin e njeriut, jetën e kësaj dhe asaj bote. Duhet ndaluar në rrënjë, në mënyrë që të mbinë bima e shëndosh e veprave të mira, adhurimit dhe bindjes ndaj urdhrave të Allahut.
Zemërimi është një prej armëve të shejtanit, andaj duhet të jemi të kujdesshëm që të mos bëhemi sakrificë e armës së tij, për këtë më së miri mund të mbrohemi me durim.

Nga: Prim.dr.med.sc. Ali F.Iljazi (r.a)

/Nga arkiva – Islamgjakova

Exit mobile version