Koreja e Veriut konfirmoi sot testimin e një sistemi të kalibrit të madh për lëshimin e raketave të shumëfishta ndërsa udhëheqësi Kim Jong Un tha se kongresi i ardhshëm i partisë në pushtet do të përshkruajë planet e fazës së ardhshme për të forcuar më tej pengesën bërthamore të vendit, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA njoftoi se Administrata e Raketave e Republikës Popullore Demokratike të Koresë (DPRK) kreu testin të martën për të verifikuar efektivitetin e një sistemi lëshimi raketash të përmirësuar me teknologji të re.
Kim mbikëqyri personalisht lëshimin, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë. Katër raketa u lëshuan gjatë testit, duke goditur një objektiv në ujëra 358.5 kilometra nga pika e lëshimit.
Kim tha se testi shënoi “rëndësi të madhe në përmirësimin e efektivitetit të pengesës sonë strategjike”, duke pretenduar se përmirësimet teknike kishin maksimizuar aftësinë e goditjes së sistemit.
“Jam i sigurt se asnjë vend tjetër nuk do të fitonte teknologji të tillë ose nuk do të posedonte aftësi të tillë të paktën brenda pak vitesh”, tha ai duke paralajmëruar se rezultatet do të përbëjnë kërcënim serioz për forcat që kërkojnë përballje ushtarake me Phenianin.
Kim tha se kongresi i ardhshëm i Partisë së Punëtorëve të Koresë do të sqarojë planet e ardhshme për të forcuar më tej aftësinë parandaluese të luftës bërthamore të vendit, duke riafirmuar se ndërtimi i aftësive të besueshme ofensive mbetet linjë thelbësore e politikës së mbrojtjes kombëtare të partisë.
Të martën, qeveritë e Japonisë dhe Koresë së Jugut thanë se Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike drejt Detit Lindor. Lëshimet ishin të dytat këtë muaj pas 4 janarit kur presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung nisi vizitë shtetërore në Kinë.
