Aro Muriq i bëri disa pritje vendimtare, ndërsa Kosova mori një pikë të madhe në ndeshjen e vështirë me Slloveninë.
Të premten mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova e Sllovenia luajtën pa gola.
Ndeshja i takoi xhiros së tretë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Me barazim, Kosova mbetet e dyta në Grupin B me katër pikë. Zvicra udhëheq me nëntë pikë, ndërsa Sllovenia doli në vendin e tretë me dy pikë. Suedia mbetet me një pikë dhe bie në vendin e fundit.
Ndeshja nisi mirë për Kosovën. Në minutën e pestë Florent Muslija bëri krosim të bukur në zonë për Vedat Muriqin. Por goditja e sulmuesit nuk ishte e saktë.
Më pas të përzgjedhurit e Franco Fodas i kishin disa tentime, por pa rrezikuar seriozisht portën e sllovenëve.
Ndërkohë mysafirët kishin më shumë mundësi të mira shënimi. Në pjesën e parë portieri i Kosovës, Aro Muriq, bëri pritje vendimtare pas goditjes së yllit të Manchester Unitedit, Benjamin Sheshkos.
Sulmuesi slloven rrezikoi disa herë edhe në pjesën e dytë. Por Muriq nuk u mposht, ndërsa me një ndërhyrje vendimtare u dallua edhe mbrojtësi i qendrës, Albian Hajdari.
Hajdari debutoi te Kosova, ndërsa luajti përkrah Fidan Alitit e Ilir Krasniqit. Krahët e mbrojtjes sërish u janë besuar Mërgim Vojvodës e Dion Gallapenit.
Në fakt Foda i është përmbajtur formacionit të njëjtë që fitoi 2:0 ndaj Suedisë. Ndryshimi i vetëm ishte aktivizimi i Hajdarit në vend të Lumbardh Dellovës së lënduar.
Por sllovenët ishin dukshëm më të vëmendshëm se suedezët. Kanë bërë presion maksimal sa herë që lojtarët e Kosovës kishin topin, duke mos u lejuar “Dardanëve” të shfaqin shumë.
Dhe në fund barazimi ishte më shumë pikë e fituar për Kosovën se dy pikë të humbura.
Kosova e kishte topin në 43 për qind të kohës. Sllovenët kishin plot 12 raste, ndërsa lojtarët e Kosovës përgjysmë më pak.
Kosova nuk e kishte asnjë goditje që shkoi në kornizë të portës kundërshtare, derisa sllovenët i kishin tri.
Menjëherë të hënën Kosova ka tjetër ndeshje vendimtare. Në Goteborg luan me Suedinë që do ta ketë rastin e fundit për reagim.
