Ballina Lajmet Kosovë Kosova e SHBA-ja me marrëveshje kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e...

Kosova e SHBA-ja me marrëveshje kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me nënsekretaren Amerikane për Diplomacinë Publike, Eizabeth Allen, për t’i bashkuar forcat kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

“Të ballafaquar me sfida të paprecedenta globale, fushatat dezinformuese paraqesin një kërcënim të madh për stabilitetin e sigurinë kombëtare të Kosovës, por edhe të Ballkanit Perëndimor në tërësi. Këto fushata synojnë të mbjellin frikë, të manipulojnë opinionin publik dhe të minojnë besimin në institucione demokratike. Por, mbi të gjitha duan të cenojnë demokracinë e vlerat demokratike që qëndrojnë në themelet e shteteve tona”, ka thënë Osmani në konferencë të përbashkët për media me nënsekretaren Allen.

Osmani ka thënë se Kosova nuk është kursyer nga dezinformatat e sulmet kibernetike dhe se ato po intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon nëpërmjet Serbisë.

“Marrëveshja e nënshkruar sot është në funksion të luftimit të kësaj. Nuk përbën thjeshtë një marrëveshje tjetër, por është pikë kthese duke fuqizuar bashkëpunimin tonë në luftimin e manipulimit të informacionit”, ka thënë Osmani. “SHBA është aleati ynë kryesor dhe partneriteti ynë me SHBA-në është ekzistencial për cilindo sukses të Kosovës”.

E nënsekretarja Allen ka thënë se ka biseduar me Osmanin për çështje të shumta, ndër to edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ajo tha se SHBA-ja mbështet rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.

Allen ka thënë se “dezinformomi është problem në rritje dhe qasja bilaterale ndaj tij mund të ndihmojë luftimin e tij”.

Exit mobile version