Ballina Sport Futboll Kosova fiton minimalisht ndaj Moldavisë për t’i dhënë fund serisë me rezultate...

Kosova fiton minimalisht ndaj Moldavisë për t’i dhënë fund serisë me rezultate negative

Ka ardhur më në fund fitorja e parë e Kosovës në vitin 2020. ‘Dardanët’ janë përkujdesur të mbyllin me fitore sezonin e dytë të Ligës së Kombeve, duke e mposhtur 1:0 Moldavinë në ‘Fadil Vokrri’, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma.

Skuadra që u drejtua nga Muharrem Sahiti në këtë ndeshje, dominoi mysafirët nga Moldavia që nga minuta e parë e ndeshjes, por nuk arriti të shënonte me shumë se një gol.

Ishte Lirim Kastrati realizatori i vetëm i këtij takimi. 21 vjeçari shënoi në minutën e 31-të të takimit.

Kosova në këtë ndeshje u desh të bëjë një zëvendësim të detyrueshëm, me Amir Rrahmanin që pësoi një lëndim, i cili i la vendin Fidan Alitit.

Minutat e fundit të ndeshjes Kosova i zhvilloi me një lojtar më pak, me Ibrahim Dresevic që u ndëshkua me karton të kuq.

Vlen të ceket se siguri të madhe në këtë ndeshje Kosovës i dhuroi edhe kapiteni Samir Ujkani, që bëri disa pritje të mira, sidomos në pjesën e parë.

Me këtë fitore, Kosova numëron 5 pikë dhe renditet në vendin e tretë në grup, për të mbetur në Ligën C edhe për sezonin e ri.

Exit mobile version