Ballina Sport Futboll Kosova fitore historike në Bratislavë, një fitore larg Botërorit

Kosova fitore historike në Bratislavë, një fitore larg Botërorit

Kombëtarja e Kosovës ka kaluar pengesën e parë për të shkruar historinë, të kualifikohet në Kampionatin Botëror 2026.

Në fakt, Kosova të enjten mbrëma arriti fitore historike në gjysmëfinalen e “play-offit” për kualifikim në Botërorin që mbahet këtë verë në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Në Bratislavë, Kosova e mposhti Sllovakinë me rezultatin 4:3, dhe tani është vetëm një fitore larg kualifikimit për herë të parë në një ngjarje të madhe të futbollit, këtë rast Kupën e Botës.

Pasi mposhti Sllovakinë, Kosova të martën mbrëma e pret Turqinë në Prishtinë, në ndeshjen jetike apo finalen e “play-offit” dhe në rast të fitores, do të jetë pjesë e Grupit D, të cilin e përbëjnë SHBA-ja, Paraguai e Australia.

“Dardanët” patën paraqitje të mirë, sidomos në pjesën e dytë kundër Sllovakisë, në të cilën shënuan tre gola për fitoren historike.

Pjesa e parë e këtij takimi, përfundoi 2:1 në favor të Sllovakisë, e cila realizoi golat me anë të Martin Valjent e Lukas Haraslin.

Rezultati i takimit u zhbllokua në minutën e 6-të, kur Valjent shënoi me kokë pas harkimit të Stanislav Lobotkas nga goditja e lirë.

Megjithatë, nuk vonoi shumë, Kosova barazoi shifrat nëpërmjet Veldin Hoxhës, i cili shënoi golin e parë për “Dardanët”.

Hoxha shënoi në minutën e 21-të pas asistimit të Mërgim Vojvodës për 1:1, por në fund të pjesës së parë, Sllovakia realizoi me anë të Haraslinit nga gjuajtja e lirë në minutën e 45-të.

Në pjesën e dytë, Kosova reagoi fuqishëm dhe menjëherë barazoi rezultatin.

Fillimisht, Fisnik Asllani (47’) shënoi me kokë pas asistimit të Vojvodës për 2:2 kurse Kosovën për herë të parë në epërsi e kaloi Florent Muslija.

Muslija realizoi supergol nga gjuajtja e lirë në minutën e 60-të, ndërsa golin e katërt e shënoi Kreshnik Hajrizi.

Edhe Hajrizi realizoi golin e parë me fanellën e Kosovës, duke shënuar në minutën e 72-të, duke përfituar nga topi i kthyer dhe tollovia e krijuar në zonën e Sllovakisë.

Rezultati përfundimtar i takimit, u vulos nga David Strelec që realizoi për 4:3 në minutën e katërt të kohës shtesë.

Exit mobile version