Ballina Lajmet Kosovë Kosova i ofron asistencë Shqipërisë për realizimin e Kadastrës Fiskale

Kosova i ofron asistencë Shqipërisë për realizimin e Kadastrës Fiskale

Ministri i Financave i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë Arben Ahmetaj, të mërkurën në Tiranë nënshkruan Memorandumin për Bashkëpunim, me qëllim mbështetjen teknike mbi realizimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Shqipërisë.

Nënshkrimi i këtij Memorandumi ka për objektiv përcaktimin e kuadrit të përgjithshëm të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë për asistencë teknike për realizimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Shqipërisë, bazuar në eksperiencën e krijimit dhe funksionimit të Kadastrës Fiskale në Republikën e Kosovës.

Për realizimin e këtij Memorandumi, Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë merr përsipër të bashkëpunojë me Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës duke vënë në dispozicion strukturat dhe kapacitetet e nevojshme me qëllim realizimin e Kadastrës Fiskale në Shqipëri.

Ndërsa, Ministria e Financave e Republikës së Kosovës merr përsipër të bashkëpunojë me Ministrinë e Financave të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet dhënies së asistencës përgjatë procesit të realizimit të Kadastrës Fiskale në çdo hap të tij, duke siguruar informacionet që lidhen me objektin e Memorandumit si dhe merr përsipër që bazuar në eksperiencën e saj mbi funksionimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Kosovës, të ofrojë asistencë lidhur me infrastrukturën ligjore që aplikon për administrimin dhe mbledhjen e taksës së pasurisë së paluajtshme.

Ministrat Hoti dhe Ahmetaj takimit të përbashkët në Tiranë, ku pjesë e delegacionit ishin edhe drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore Sakip Imeri, u.d. drejtori i përgjithshëm i Doganës Fahri Gashi, si dhe drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë Shkelzen Morina shprehën gatishmërinë e ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit për funksionalizimin e pikës së përbashkët Doganore në Portin e Durrësit dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe informacioneve nga fushëveprimi i doganave dhe administratave tatimore të të dyja vendeve.

Ministri Avdullah Hoti tha se “Në këtë takim u bë e ditur se është bërë progres në shumicën e çështjeve që janë dakorduar gjatë takimeve të mëparshme ndërmjet dy ministrive, gjithashtu kemi identifikuar disa çështje, për të cilat pritet një intensifikim më i shtuar siç është luftimi i ekonomisë jo formale, krijimi i lehtësirave të ndërsjella për zhvillimin e bizneseve si dhe krijimin e një pike të përbashkët Doganore në Portin e Durrësit si masë për qarkullim më të shpejtë të mallrave të cilat hyjnë në Shqipëri dhe kanë destinacion Kosovën dhe për këtë falënderoj edhe ministrin Arben Ahmetaj dhe Qeverinë e Shqipërisë për gatishmërinë që po na ofron në këtë drejtim”.

Ministri Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për krijimin e një klime më të favorshme për të bërë biznes dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në mënyrë që sektori privat si promotor i zhvillimit ekonomik i të dy vendeve të merr një kahje më të mirë zhvillimore.

Ndërsa, ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj duke i uruar mirëseardhje Ministrit Hoti, në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë u shpreh se takimet e tilla çdo herë janë frytdhënëse dhe në dobi të të dyja vendeve.

“Shqipëria dhe Kosova nuk janë dy tregje. Ne kemi bërë hapa konkretë në funksion të unifikimit të tregjeve tona, rritjes së volumit tregtar dhe nxitjes së shkëmbimeve dypalëshe”, shtoi Ministri Ahmetaj.

Ai gjithashtu shtoi se “Sistemi i Përbashkët i Tranzitit, i finalizuar në dhjetor 2016, përmes ndërlidhjes automatike të sistemeve elektronike, u mundëson tashmë bizneseve nisjen e një procedure tranziti në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës dhe mbylljen e tij në vendin tjetër, duke shmangur kontrollet e panevojshme kufitar dhe reduktuar ndjeshëm kohën dhe kostot për sipërmarrjen”.

Ndërsa, sa i përketë nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunimin mbi realizimin e kadastrës fiskale, ministri Arben Ahmetaj tha se “Sistemi i katastrit fiskal është një mundësi e mirë . Kjo ndihmonë Shqipërinë për një administrim më të mirë dhe u jep vlerë pronave të Shqipërisë. Unë dua të kopjoj Kosovën për sistemin e fiskalizimit të pronave”, ka thënë ndër të tjera Ahmetaj.

Gjatë ditës po ashtu të dy ministrat vizituan edhe pikën doganore në Portin e Durrësit, ku bënë të ditur se Dogana Shqiptare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë filluar një projekt të përbashkët për hapjen e Zyrës së Operimit të Doganës Kosovare pranë Degës së Doganës Durrës. Ministri Hoti dhe Ministri Ahmetaj këtë pikë doganore e cilësuan si projekt me shumë rëndësi sidomos për qarkullim më të shpejtë të mallrave të cilat hyjnë në Shqipëri dhe kanë destinacion Kosovën.

Exit mobile version