Ballina Lajmet Kosovë Kosova rrezikon të mos ketë liberalizim të vizave as më 2019

Kosova rrezikon të mos ketë liberalizim të vizave as më 2019

Kosova as këtë vit nuk do ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave.

Të paktën kështu është thënë nga ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, e cila ka konfirmuar se çështja e heqjes së vizave për Kosovën nuk do të jetë në agjendën e BE-së, në takimin i cili është caktuar për datat 6 dhe 7 dhjetor.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe Artsn Murati nga KDI.

Ai përmes një statusi në Facebook ka shkruar se është konfirmuar që Kosova nuk do të jetë pjesë e agjendës së Këshillit të Ministrave për çështjen e liberalizimit.

“Lajme të këqija prej Austrisë: konfirmohet e pritura, nuk jemi pjesë e agjendës së Këshillit (të Ministrave) për çështjen e liberalizimit. Kjo me gjasë do të na e humbë edhe vitin 2019, pa pasur mundësi të lëvizim lirshëm në zonën Schengen”, ka shkruar Murati.

Ai tutje ka thënë se Bashkimi Evropian e ka humbur busullën me Ballkanin.

“Mrekullia mund të ndodhë me ndonjë lëvizje në çastet e fundit në agjendë. Gjasat për këtë lëvizje janë 0.001%. BE-ja e ka humbë busullën me Ballkanin. Është krejtësisht e ç’orientuar dhe pa strategji konkrete. Edhe institucionet tona, që nga 2010 e deri më tani, më shumë kanë bërë politikë elektorale me liberalizim sesa punë konkrete. Ky është rezultati, qytetarët e mbyllur në disa km2”, ka shkruar Murati në statusin e tij në Facebook.

Ndryshe sot në vendin tonë për vizitë do të qëndroj Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Hahn është thënë se do të qëndrojë për vizitë shkaku i taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe, ku do të kërkojë revokimin e saj.

Nuk dihet nëse Hahn do të sjellë ndonjë lajm edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

Gjatë kësaj vizite ai do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe liderët e opozitës.

Exit mobile version