Ballina Lajmet Kosovë Kosova sot në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Kosova sot në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Pas një ngërçi politik njëvjeçar, Kosova do të mbajë këtë të diel, më 28 dhjetor, zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Vendimi vjen pas dështimit për të formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe shpërbërjes së Kuvendit, çka ka krijuar një boshllëk financiar të vlerësuar rreth 1 miliard euro.

Kosova ndodhet në krizë politike që prej zgjedhjeve të 9 shkurtit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli forcë e parë, por pa arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë e vetme apo për të gjetur një partner koalicioni. Si pasojë e këtij bllokimi institucional, vendi shkoi drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Në garën për postin e kryeministrit janë katër kandidatë:

Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje
Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës
Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës
Ramush Haradinaj nga AAK
Fatmir Limaj nga Nisma
Për zgjedhjet e 28 dhjetorit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë qytetarë. Në këto zgjedhje marrin pjesë 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Qytetarët mund të votojnë për një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë.

Nga këto zgjedhje do të dalë përbërja e re e Kuvendit me 120 deputetë, të cilët më pas do të zgjedhin Qeverinë e re të Kosovës.

Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare brenda të njëjtit vit, një situatë e paprecedentë për Kosovën, megjithëse në të kaluarën vendi ka pasur edhe zgjedhje të parakohshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, 46 ditë pas mbajtjes së tyre, me 9 vota pro dhe 2 kundër. Sipas këtyre rezultateve:

Lëvizja Vetëvendosje: 42.30%, 48 mandate
Partia Demokratike e Kosovës: 20.95%, 24 mandate
Lidhja Demokratike e Kosovës: 18.27%, 20 mandate
Koalicioni AAK–Nisma: 7.06%, 8 mandate
Lista Serbe: 4.26%, 9 ulëse
Megjithë zgjedhjet e reja, ekziston frika e përsëritjes së krizës politike, pasi votimi zhvillohet vetëm katër muaj para afatit kur Kuvendi duhet të zgjedhë presidentin e ri të vendit, ndërsa afrohen edhe afatet për ratifikimin e kredive ndërkombëtare. Në Kosovë sondazhet parazgjedhore nuk publikohen, ndaj ka pak sinjale për rezultatin e votimit.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit do të monitorohen nga mbi 100 vëzhgues ndërkombëtarë nga 18 vende të Bashkimit Evropian, përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Për sigurinë do të angazhohen mbi 200 ushtarë italianë të KFOR-it, njësi të specializuara të EULEX-it dhe mijëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës, për të garantuar një proces të qetë dhe të rregullt zgjedhor./

Exit mobile version