Shpalosja e bëmave monstruoze të ‘vëllazërisë’ së Epsteinit mundëson shpërfaqjen e fytyrës së vërtetë të drejtuesve të botës së sotme, të kësaj bote të civilizuar dhe të mbështetur mbi ‘vlerat’ perëndimore.
Dhe, kuptohet, projekti i kësaj ‘vëllazërie’ për një botë pa tabu dhe me në epiqendër ‘njeriun’, nuk e kishte lënë anash as shqiptarinë tonë, duke ia sulmuar shtyllat e ‘prapambeturisë’, e që në të vërtetë asaj ia mundësuan mbijetesën gjatë shekujve: atdhetarinë, gjuhën dhe moralin familjar.
Andaj edhe në epiqendër të kësaj lufte ka qenë dhe është djepi i atdhetarisë sonë, boshti i moralit tonë familjar dhe mburoja gjuhësore: Kosova.
Pra, andaj jo rastësisht, ka vite që në shumë nga mediat e Kosovës promovohet vetëdija se nuk je atdhetar kur e mbron tënden dhe vetveten nga të tjerët, por vetëm kur serbin e mbron nga vetvetja.
Dhe se je i civilizuar dhe properëndimor vetëm nëse e kupton se nuk ka më burrë e grua, as nënë e babë, por vetëm Prind numër 1 dhe Prind numër 2!?
Jo rastësisht, pra, në disa spektakle televizive në Kosovë, nuk është e turpshme të t’i shohin brekët dhe gjoksin, por e kundërta: nëse i mbulon thithkat dhe prapanicën.
Po, monstruoziteti që bart emrin e Epsteinit ka fytyrë portretin grupor të shumicës së drejtuesve të sotëm të kësaj bote, të atyre që investuan aq shumë për t’i shlyer të gjitha tabutë, me në krye turpin.
Me çka ia dolën që, në masë të madhe, botën ta shndërrojnë në vendbanim të përshtatshëm për të maskuarit si njerëz, për ata që janë mjaftueshëm të pasur sa, të papenguar, të organizojnë edhe safari për vrasjen e fëmijëve dhe gjenocid mbi popuj të pambrojtur.
Nga: Kim Mehmeti
