Ballina Lajmet Kosovë Kosova vazhdon të shtohet, mbi 20 mijë lindje u realizuan brenda 9...

Kosova vazhdon të shtohet, mbi 20 mijë lindje u realizuan brenda 9 muajve të 2025-ës

Kosova ka shënuar një vit të qëndrueshëm demografik në 2025, me një raport të favorshëm mes lindjeve dhe vdekjeve.
Duke përjashtuar vitin 2022 dhe 2021, nataliteti në Kosovë është ulur pothuajse çdo vit që nga viti 2014, sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave.

Që nga viti 2014 deri në vitin 2020, Kosova po shkonte drejt një spiraleje të rënies së vazhdueshme të natalitetit. 2020-ta, që ishte edhe viti i përhapjes së pandemisë SARS-CoV-2 dhe njëkohësisht i një ndër rënieve më të mëdha të lindjeve të gjalla, me vetëm 18 mijë e 186.

E në një periudhë 9 mujore, janar-shtator 2025 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 20 mijë e 940 lindje.

Kjo u bë e ditur nga të dhënat zyrtare të dhëna për lajmi.net nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Nga ky numër, shumica e foshnjave të lindura janë të gjinisë mashkullore, duke ruajtur trendin e viteve të fundit, raporton lajmi.net.

Sipas statistikave mujore, muaji me numrin më të madh të lindjeve ka qenë korriku, me 2 664 lindje, prej të cilave 1 348 meshkuj dhe 1 316 femra.

Pas korrikut, numër i lartë lindjesh është shënuar edhe në qershor me 2 544 lindje (1 338 meshkuj, 1 206 femra), si dhe në gusht me 2 516 lindje (1 284 meshkuj, 1 232 femra).

Muaji me numrin më të ulët të lindjeve gjatë kësaj periudhe ka qenë shkurti, me 1 955 lindje, nga të cilat 1 024 meshkuj dhe 931 femra.

Gjatë muajve të tjerë të vitit, numri i lindjeve ka qenë relativisht i qëndrueshëm.

Në janar janë regjistruar 2 213 lindje (1 141 meshkuj, 1 072 femra), në mars 2 061 lindje (1 074 meshkuj, 987 femra), në prill 2 113 lindje (1 095 meshkuj, 1 018 femra), në maj 2 364 lindje (1 261 meshkuj, 1 103 femra) dhe në shtator 2 510 lindje (1 311 meshkuj, 1 199 femra).

Sipas ASK-së, këto statistika mujore shërbejnë si bazë për analizat demografike dhe planifikimin e politikave publike në vend.

Ndryshe sipas të dhënave të kaluara, gjatë vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 31,717 lindje, prej të cilave 21,487 ndodhën brenda territorit të Kosovës dhe 10,230 jashtë vendit. Grupmosha dominuese e nënave ishte 25-34 vjeç, ndërsa mosha mesatare e një gruaje që ka lindur ishte 29 vjeç. Komuna me numrin më të lartë të lindjeve ishte Prishtina me 10,746 raste (33.9%).

Exit mobile version