Hapen me kohë qendrat më të mëdha të votimit
Qendrat më të mëdha të votimit janë hapur me kohë në shumicën e komunave të Kosovës.
Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.
Qytetarët e Kosovës sot do t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave. Në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.
Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.
Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.
Voton kryetari i KQZ-së, bën thirrje për proces të qetë zgjedhor
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka votuar sot në orët e hershme të mëngjesit, me t’u hapur qendra e votimit në Pejë në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”.
Radoniqi ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa tha se qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në 19:00.
“Unë dhe bashkëshortja ime e shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar… Qendra e votimit është hapur dhe janë të hapura deri në ora 19:00. Ftoj qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese dhe të votojnë. Dua të bëj thirrje edhe partive politike edhe këshillave të vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtjen e ditës së zgjedhjeve”, tha Radoniqi.
Ai tha se janë të përgatitur që të dalin me rezultatet preliminare të zgjedhjeve në orët e vona.
“Jemi të përgatitur që të japim rezultatet preliminare deri në orët e vona, por nëse mbetet diçka atëherë nesër. Stafi do të punojë 24 orë”, tha ai.
