Ballina Lajmet Kosovë KQZ vendos: 28 komuna shkojnë në rinumërim të plotë të votave

KQZ vendos: 28 komuna shkojnë në rinumërim të plotë të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që në 28 komuna të shkohet me rinumërim të plotë të të gjitha votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se procesi i rinumërimit të votave ka nxjerrë në pah pasaktësi të theksuara në numërimin e votave të kandidatëve, ndërsa votat e subjekteve politike rezultojnë kryesisht të sakta.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, Radoniqi bëri të ditur se institucioni ka pranuar raportin nga procesi i rinumërimit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

“Sot kemi pranuar raportin nga procesi i rinumërimit që po zhvillohet në QNR. Aktualisht, 914 vendvotime janë në proces rinumërimi, sipas vendimit të KQZ-së. Në 10 komuna po bëhet rinumërimi i plotë, ndërsa në 28 komuna të tjera po rinumërohen rreth 10 për qind e vendvotimeve”, ka deklaruar Radoniqi.

Ai shtoi se KQZ-ja ka pranuar raportin pas rinumërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve, me të dhëna të datës 13 janar.

“Raporti tregon se ndryshimet në votat e subjekteve politike janë minimale dhe pothuajse të papërfillshme, çka dëshmon se numërimi i tyre është bërë në mënyrë të saktë. Ndërkohë, situata është ndryshe sa i përket votave të kandidatëve. Të dhënat pas rinumërimit tregojnë një shkallë të lartë të pasaktësisë në numërimin e votave të kandidatëve. Nga rinumërimi rezulton se 36 mijë e 7 vota u janë zbritur kandidatëve, të cilat ishin regjistruar gabimisht në QNR, ndërsa 20 mijë e 978 vota u janë shtuar kandidatëve, pasi nuk ishin regjistruar saktë gjatë numërimit fillestar”, tha ai.

Radoniqi theksoi se analiza numerike e veçon Komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem sa i përket mospërputhjeve në numërim.

Ai bëri të ditur se para mbledhjes së KQZ-së, në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore janë dhënë dy rekomandime kryesore: rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe në 28 komunat e tjera; ndërprerja e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit.

Radoniqi po ashtu theksoi se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresohen Prokurorisë së Shtetit, duke shtuar se KQZ-ja do të ofrojë bashkëpunim të plotë institucional gjatë procesit hetimor.

Exit mobile version