Ballina Lajmet Kosovë Krasniqi thotë se marrëveshja e mbrëmshme është dështim i madh politik e...

Krasniqi thotë se marrëveshja e mbrëmshme është dështim i madh politik e kombëtar

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas takimit të mbrëmshëm në Ohër mes kryeministri Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Ai ka thënë se në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike.

“Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.

Postimi i Krasniqit:

Me 27 shkurt, në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin evropian. Dje, me 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta.

Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qyetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare.

Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë.

Exit mobile version