Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se për ndalimin e luftimeve në Ukrainë, duhet që ushtarët ukrainas të tërhiqen nga rajoni i Donbasit, transmeton Anadolu.
“Rusia synon t’i japë fund konfliktit duke arritur qëllimet e saj”, deklaroi Peskov për gazetarët në Moskë lidhur me procesin e zgjidhjes së krizës në Ukrainë.
Duke kujtuar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin patën bisedë telefonike dje, Peskov tha se të dy udhëheqësit nuk diskutuan mbi mundësinë e armëpushimit në Ukrainë për Krishtlindje.
Peskov tha se nuk janë në dijeni të rezultateve të takimit midis Trumpit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Florida dje. Ai shtoi se do të mësojnë për këtë gjatë një telefonate midis Trumpit dhe Putinit, duke shtuar se “Kjo telefonatë do të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur”.
Lidhur me mundësinë e zhvillimit të një telefonate midis Putinit dhe Zelenskyyt, Peskov tha se “Kjo është jashtë diskutimit”. Ai theksoi se pajtohen me vlerësimin e Trumpit se “palët po i afrohen zgjidhjes së krizës ukrainase dhe se negociatat kanë arritur në fazën përfundimtare”.
Kur u pyet se në çfarë kushtesh do të ndërprisnin luftimet në Ukrainë, Peskov tha: “Sigurisht, kjo është kur trupat e regjimit të tërhiqen nga Donbasi përtej kufijve administrativë. Rusia synon t’i japë fund konfliktit duke arritur qëllimet e saj”.
Ai nuk pranoi të komentojë mbi mundësinë e tërheqjes së trupave ukrainase nga rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia. Zëdhënësi i Kremlinit tha nuk u deklarua mbi mundësinë e krijimit të një zone të lirë ekonomike në Donbas dhe menaxhimin me SHBA-në, të centralit bërthamor ‘Zaporizhzhia’ i cili është nën kontrollin rus.
