Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot se përfaqësuesit e administratave presidenciale ruse dhe amerikane kanë pasur kontakte mbi zgjidhjen e çështjes ukrainase pas konsultimeve të fundit në Miami të SHBA-së, transmeton Anadolu.
Peskov tha se ndihmësi presidencial rus, Yury Ushakov dhe disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë diskutuan për draftin e planit të paqes në një bisedë telefonike.
“Pasi Dmitrievi e informoi presidentin mbi rezultatet e udhëtimit në Amerikë dhe kontaktet e tij me amerikanët, ky informacion u analizua. Me udhëzim të presidentit Putin pati kontakt midis përfaqësuesve të Rusisë dhe SHBA-së”, tha zëdhënësi i Kremlinit.
Ai shtoi se Kremlini analizoi informacionin e marrë nga i dërguari special Kirill Dmitriev pas udhëtimit në SHBA. Duke folur për rezultatet, Peskov tha se “Moska dhe Washingtoni ranë dakord të vazhdojnë dialogun”.
Bisedimet mbi zgjidhjen e çështjes ukrainase u zhvilluan në Miami gjatë fundjavës, me palën amerikane të përfaqësuar nga i dërguari Steven Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump.
