Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se rreth 6,000 persona që kanë humbur gjymtyrët për shkak të sulmeve izraelite kanë nevojë të menjëhershme për rehabilitim afatgjatë. Deklarata u bë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Sipas ministrisë, situata është “tronditëse”, pasi 25% e rasteve të amputimeve përfshijnë fëmijë që tani përballen me aftësi të kufizuara të përhershme. Mijëra të plagosur dhe familjet e tyre po kalojnë vuajtje të thella humanitare, duke pasur nevojë urgjente për rehabilitim fizik, si edhe për mbështetje psikologjike dhe sociale.
Ministria u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare që të prioritizojnë të gjymtuarit në Gaza dhe të rrisin qasjen në shërbime të specializuara të përkujdesjes dhe rehabilitimit.
Në shtator, kreu i UNRWA-s, Philippe Lazzarini, deklaroi se Gaza ka numrin më të lartë të fëmijëve të gjymtuar për frymë në botë që nga fillimi i luftës.
Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë mbi 70,000 persona në Gaza dhe ka plagosur më shumë se 171,000, ndërsa një armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi më 10 tetor. /mesazhi
