Ballina Lajmet Kosovë KRM “Pastrimi” nis aplikimin e çmimores së re për grumbullimin e mbeturinave

KRM “Pastrimi” nis aplikimin e çmimores së re për grumbullimin e mbeturinave

Kompania Rajonale e Mbeturinave KRM “Pastrimi” Sh.A. ka njoftuar qytetarët e Prishtinës për fillimin e zbatimit të çmimores së re për shërbimin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave komunale.

Sipas njoftimit, ky vendim bazohet në Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, e cila është miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në dhjetor të vitit 2023 dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

KRM “Pastrimi” thekson se çmimorja e re përcakton tarifa të standardizuara për shërbimin e mbeturinave, të hartuara në përputhje me dispozitat ligjore dhe procedurat institucionale. Ajo parasheh kategorizimin e konsumatorëve, duke përfshirë amvisëritë rezidente dhe jorezidente, si dhe bizneset sipas madhësisë dhe llojit të kontratave, me qëllim të ofrimit të një shërbimi të barabartë, transparent dhe efikas për të gjithë.

Sipas kompanisë, synimet kryesore të zbatimit të kësaj çmimore janë sigurimi i një sistemi financiar të qëndrueshëm për funksionimin e shërbimit, rritja e transparencës dhe qartësisë në tarifim, ofrimi i një shërbimi të rregullt dhe cilësor, si dhe përmbushja e standardeve mjedisore dhe të shëndetit publik në territorin e Komunës së Prishtinës.

Në njoftim thuhet gjithashtu se KRM “Pastrimi” vlerëson bashkëpunimin e deritanishëm me qytetarët dhe subjektet ekonomike, duke u shprehur e gatshme për të ofruar sqarime shtesë dhe informacione të nevojshme lidhur me zbatimin e çmimores së re.

“Qëllimi ynë kryesor mbetet garantimi i një qyteti më të pastër, një shërbimi më efikas dhe një procesi të drejtë tarifimi për të gjithë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga kompania.

Exit mobile version