Ballina Lajmet Kosovë KRU “Prishtina” zbulon 17 lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit, paralajmëron masa...

KRU “Prishtina” zbulon 17 lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit, paralajmëron masa ligjore

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se gjatë kontrolleve të zhvilluara në disa zona të kryeqytetit janë zbuluar gjithsej 17 lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit.

Sipas njoftimit të kompanisë, janë identifikuar tetë lidhje ilegale në Hajvali, pesë në Bërnicë dhe katër në Llukar.

Nga KRU “Prishtina” kanë reaguar ashpër ndaj këtij fenomeni, duke e cilësuar situatën si shqetësuese.

“Kjo që po ndodh është më shumë se e tmerrshme”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Kompania thekson se kyçjet ilegale shkaktojnë dëme të konsiderueshme në sistemin e furnizimit me ujë dhe cenojnë furnizimin e rregullt për konsumatorët që paguajnë shërbimin.

“Lidhjet ilegale shkaktojnë humbje të mëdha të ujit, dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin e rregullt të konsumatorëve që paguajnë shërbimin”, thuhet në njoftim.

KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se kontrollet në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa ka paralajmëruar se ndaj të gjithë personave që kryejnë kyçje ilegale do të ndërmerren veprime në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe ndaj të gjithë personave që kryejnë kyçje ilegale do të ndërmerren masat e parapara me ligj”, përfundon njoftimi i kompanisë.

Exit mobile version