Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryebashkiakut të Elbasanit i dërgojnë arkivol në shtëpi

Kryebashkiakut të Elbasanit i dërgojnë arkivol në shtëpi

Në qytetin e Elbasanit thuhet se veprojnë dy klane mafioze, e këto janë mes dy fiseve që vetë ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj ka përmendur nga Parlamenti, fisi Çela dhe Çapja.

Po ashtu, mbetur vetëm në “thashethemet” mediatike dhe akuzat politike të opozitës shqiptare, dhëndri i Qazim Sejdinit, kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Sokol Sanxhaktari është i përfshirë në grupin kriminal të bandës së Çelës.

Ky i fundit ka qenë një ndër emrat që këtë verë Prokuroria i kërkoi policisë ta vinte në përgjim, por që nuk u realizua kurrë pasi policia tha se nuk ka kapacitete me efektivë për shkak se ishin me leje.

Kryebashkiaku është akuzuar vazhdimisht nga opozita, e madje së fundi në Parlament, lideri demokrat Lulzim Basha i kërkoi kryeministrit Rama që të bënte shkarkimin e Sejdinit nga detyra.

Ashtu sikundër ambasadori amerikan Donald Lu foli për funksionim të 4 klaneve në Shqipëri, në qytetin e Elbasanit fiset mafioze kanë nisur të vënë në jetë edhe praktikat kërcënuese mes tyre.

Një qytetar nga Elbasani ka denoncuar me një mesazh anonim pranë ish-kryeministrit Sali Berisha, se Qazim Sejdinit i kanë dërguar arkivol në shtëpi, e kjo në shenjë hakmarrjeje.

Gjatë natës së sotme në Durrës u vu në pranga Enea Bekteshi, i cili dyshohet se ka qenë në makinën Audi që përplasi automjetin e zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit më shumë se dy javë më parë.

E po kështu dyshohet si i përfshirë në goditjen me antitank të një prej bizneseve të fisit Çapja muaj më parë. E në shenjë hakmarrjeje për këto që kanë ndodhur, në shtëpinë e kryebashkiakut të Elbasanit, qarkullon si lajm se i kanë çuar arkivol, dhe kjo në gjuhën e mafies nënkupton që do të vritet.

“Në Elbasan klanet në thikë e në pikë! Qyteti gumëzhinë se Don Lalës klani tjetër mafioz i ka dërguar arkivol në shtëpi?!?!, – shkruan Sali Berisha në profilin e tij në Facebook duke e shoqëruar këtë informacion me pikëpyetje e pikëçuditëse të shumta për vetë peshën që ka si informacion dhe se sa e rëndë është situata nëse kjo rezulton e vërtetë.

Në mesazh thuhet se kryebashkiaku ka shtuar sigurinë duke marrë më shumë roje private./Mesazhi/

 

Exit mobile version