Pakistani dhe Irani kanë riafirmuar angazhimin e tyre për promovimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon gjatë një bisede telefonike mes krydiplomatëve të tyre, pas sulmeve të reja ndërsa bisedimet për paqe mes SHBA-së dhe Iranit vazhdojnë, transmeton Anadolu.
Ministrisë e Punëve të Jashtme e Pakistanit njoftoi se gjatë bisedës me ministrin Iranian të Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, zv/kryeministri dhe ministri pakistanez i Punëve të Jashtme, Mohammad Ishaq Dar, ritheksoi gatishmërinë e Pakistanit për të luajtur një rol konstruktiv në avancimin e paqes rajonale dhe ndërkombëtare.
Araghchi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Pakistanit ndaj procesit të paqes. Ai gjithashtu falënderoi Pakistanin për lehtësimin e kthimit të sigurt dhe të qetë të anëtarëve iranianë të ekuipazheve dhe peshkatarëve në Iran.
Të dy palët ranë dakord të mbeten në kontakt të ngushtë ndërsa të dy vendet vazhdojnë përpjekjet diplomatike.
Telefonata erdhi pasi SHBA-ja mbrëmë vonë njoftoi se forcat e saj goditën objektiva iraniane të raketave, dronëve dhe radarëve, duke akuzuar Teheranin se qëndronte pas një sulmi ndaj një anijeje tregtare që po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Më vonë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se forcat e saj detare goditën pozicione ushtarake amerikane në të gjithë rajonin në përgjigje të sulmeve amerikane në jug të Iranit dhe paralajmëroi për një reagim të ashpër nëse përshkallëzimi vazhdon.
Më herët gjatë këtij muaji, Irani dhe SHBA-ja arritën një marrëveshje me 14 pika, të ndërmjetësuar nga Pakistani, e cila hyri në fuqi më 18 qershor pasi u nënshkrua elektronikisht nga presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian dhe presidenti amerikan, Donald Trump.
Marrëveshja përfshin dispozita për përfundimin e armiqësive në disa fronte, përfshirë Libanin, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit, ndërsa vazhdojnë 60 ditë bisedime drejt një marrëveshjeje më gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.
