Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryediplomatët rus dhe iranian diskutojnë për krizën në Lindjen e Mesme

Kryediplomatët rus dhe iranian diskutojnë për krizën në Lindjen e Mesme

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov diskutoi për situatën në Lindjen e Mesme me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi, përmes telefonit, sipas një deklarate zyrtare, transmeton Anadolu.

Kontakti u zhvillua me iniciativën e palës iraniane, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.

“U diskutua situata në zonën e Gjirit Persik, e cila është përkeqësuar ndjeshëm si rezultat i agresionit të SHBA-së dhe Izraelit”, tha ministria.

Lavrov tha se sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit, përfshirë Bushehrin, janë të papranueshme, pasi kërcënojnë personelin rus dhe paraqesin rreziqe katastrofike mjedisore për rajonin, shtohet në deklaratë.

“U shpreh shqetësim i ndërsjellë për përhapjen e rrezikshme të konfliktit të nxitur nga Washingtoni dhe Tel Avivi drejt zonës së Detit Kaspik”, thuhet në deklaratë.

Pala ruse theksoi nevojën për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive dhe një zgjidhje politike që merr parasysh interesat legjitime të të gjitha palëve të përfshira, kryesisht të Iranit, thuhet më tej.

“Rusia do të udhëhiqet nga ky qëndrim edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, theksohet në deklaratë.

Aragchi falënderoi udhëheqjen ruse për mbështetjen e rëndësishme diplomatike dhe të tjera të dhëna Iranit, përfshirë dërgimin e ndihmës humanitare, shtohet më tej.

Përshkallëzimi rajonal në Lindjen e Mesme është intensifikuar që nga sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar deri tani mbi 1.340 viktima, përfshirë edhe udhëheqësin e atëhershëm suprem Ali Khamenei.

Irani ka kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndërprerë tregjet globale dhe aviacionin.

Exit mobile version