Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Elmedin Konakoviq, mori pjesë në Washington në takimin ministror kushtuar “rritjes shqetësuese sërish të terrorizmit politik”, i mbajtur me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, transmeton Anadolu.
Konakoviq theksoi se BeH-ja dënon ashpër terrorizmin e motivuar politikisht dhe të gjitha format e veprimtarisë ekstremiste të drejtuara kundër institucioneve demokratike, rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se terrorizmi nuk mund të jetë kurrë një mjet i pranueshëm i veprimit politik apo një instrument për realizimin e qëllimeve politike.
Ai rikujtoi se përvoja e BeH-së tregon se ekstremizmi politik i organizuar, nëse nuk identifikohet dhe ndalet në kohë, mund të shndërrohet nga retorikë nxitëse në dhunë me pasoja shkatërruese. Ai theksoi se sulmet sistematike ndaj rendit kushtetues, institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit nuk duhet të relativizohen apo të paraqiten kurrë si konflikte të zakonshme politike, pasi pikërisht dobësimi i institucioneve krijon hapësirë për veprimin e aktorëve ekstremistë.
Ai paralajmëroi se BeH-ja edhe sot përballet me përpjekje të vazhdueshme për minimin e institucioneve shtetërore, retorikë separatiste dhe veprime që rrezikojnë rendin kushtetues të vendosur me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.
Ai theksoi se politika të tilla thellojnë polarizimin politik, rrisin rreziqet e sigurisë dhe përbëjnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin e BeH-së, por edhe të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, u bë e ditur nga kabineti i Konakoviqit.
“Konakoviq vuri në dukje veprimtarinë e presidentit të SNSD-së, Millorad Dodik, duke theksuar se politika e tij shumëvjeçare separatiste, sulmet e vazhdueshme ndaj institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës dhe përafrimi i hapur politik me interesat e Federatës Ruse përbëjnë një nga kërcënimet më serioze ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës. Ai theksoi se përpjekjet për ta paraqitur një politikë të tillë para partnerëve ndërkombëtarë si pro-perëndimore janë në kundërshtim të plotë me veprimet e saj reale, ndërsa fushata e orkestruar e aktorëve separatistë dhe lobistëve të tyre, e bazuar në përhapjen e narrativave të rreme dhe minimin e institucioneve shtetërore, synon dobësimin e mbështetjes ndërkombëtare për Bosnjë e Hercegovinën dhe rendin e saj demokratik”, thuhet në njoftim.
Ai përfundoi se lufta e suksesshme kundër terrorizmit të motivuar politikisht nënkupton jo vetëm një përgjigje të vendosur ndaj kërcënimeve të sigurisë, por edhe identifikimin dhe frenimin në kohë të dukurive që krijojnë hapësirë për përshkallëzimin e tyre.
Konferenca, pritës i të cilës ishte Departamenti amerikan i Shtetit, mblodhi ministra dhe zyrtarë të lartë nga 65 shtete me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera bashkëkohore të sigurisë. Në fokus të bisedimeve ishin sfidat aktuale të sigurisë, forcimi i shkëmbimit të informacioneve dhe të dhënave të inteligjencës, mbrojtja e infrastrukturës kritike, siguria e kufijve, ndërprerja e financimit të rrjeteve terroriste dhe përmirësimi i përgjigjes së koordinuar ndërkombëtare ndaj formave të reja të terrorizmit të motivuar politikisht.
