Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut merr pjesë në ngjarjen e Këshillit Atlantik...

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut merr pjesë në ngjarjen e Këshillit Atlantik në Washington

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Washington ka marrë pjesë dhe ka mbajtur fjalim në një ngjarje të organizuar nga Këshilli Atlantik, e cila ishte e fokusuar në prioritetet transatlantike të Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në fjalimin e tij, Mucunski ka theksuar prioritetet kryesore të politikës së jashtme të shtetit, duke vënë në pah përkushtimin ndaj forcimit të partneritetit strategjik me SHBA-në si dhe rolin aktiv të vendit si partner i besueshëm i sigurisë brenda NATO-s dhe rajonit.

Ai gjithashtu është ndalur te përpjekjet për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, përfshirë iniciativat aktuale për thellimin e marrëdhënieve tregtare bilaterale me SHBA-në.

Në kontekstin e integrimit evropian, Mucunski ka riafirmuar përkushtimin strategjik të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përmendur sfidat e lidhura me çështjet bilaterale dhe duke theksuar nevojën për një proces të besueshëm dhe të parashikueshëm të zgjerimit.

Po ashtu, janë theksuar prioritetet për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor si dhe rëndësia e partneritetit transatlantik në përballimin e sfidave bashkëkohore të sigurisë dhe gjeopolitikës.

Ngjarja u zhvillua në kuadër të iniciativës “Balkans Forward” të Këshillit Atlantik me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga sektori politik, akademik dhe analitik.

Exit mobile version