Ballina Lajmet Kosovë Kryediplomati shqiptar pret në takim Konjufcën, theksohet koordinimi “në çdo çështje të...

Kryediplomati shqiptar pret në takim Konjufcën, theksohet koordinimi “në çdo çështje të interesit kombëtar”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, priti në një takim në Tiranë në kuadër të Samitit të IV të Diasporës Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Hoxha tha se “ky samit është një dëshmi e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për ta shndërruar diasporën shqiptare në një fuqi të organizuar dhe vendimtare për të ardhmen tonë kombëtare”.

“Diaspora jonë mbetet një aset i pazëvendësueshëm, një urë e gjallë që lidh kombin tonë me botën dhe një motor i fuqishëm zhvillimi, që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë, shoqërisë dhe identitetit tonë”, theksoi Hoxha.

Ministri Hoxha u shpreh se “në vijim të një dialogu intensiv dhe të frytshëm, takimi i sotëm riafirmoi vendosmërinë tonë për të çuar përpara bashkëpunimin strategjik Shqipëri-Kosovë. Ne jemi të vendosur ta thellojmë këtë bashkëpunim në çdo fushë prioritare, nga ekonomia dhe infrastruktura te energjia, arsimi, kultura, mbrojtja dhe siguria”.

Në takim theks të veçantë Hoxha dhe Konufca i dhanë nevojës për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë, si dhe përshpejtimin e projekteve madhore kombëtare.

“Në planin rajonal dhe ndërkombëtar, Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën dhe perspektivën e saj euroatlantike. Theksuam qartë se momenti pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian duhet të shfrytëzohet pa vonesë. Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është një domosdoshmëri politike dhe strategjike e mirëvendosur në kohë dhe një investim me vlerë për të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në mbështetje të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në çdo aspekt”, nënvizoi Hoxha duke shtuar se nuk kemi luksin e pritjes. Koha kërkon veprim, vendosmëri, bashkërendim dhe unitet.

Prandaj, tha ministri Hoxha, riafirmuam angazhimin tonë për koordinim të ngushtë dhe veprim të përbashkët në çdo çështje të interesit kombëtar, me synimin e qartë për të investuar së bashku në stabilitet afatgjatë, zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët tanë, si dhe në paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.

Në anën tjetër, Konjufca e vlerësoi mikpritjen në Tiranë dhe shprehu respektin e veçantë që, sipas tij, gëzon ministri Hoxha në Kosovë dhe kontributin e tij në mbrojtjen e interesave të vendit në arenën ndërkombëtare.

Exit mobile version