Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri grek zotohet të shtojë më tej shpenzimet ushtarake mes tensioneve me...

Kryeministri grek zotohet të shtojë më tej shpenzimet ushtarake mes tensioneve me Turqinë

Kyriakos Mitsotakis

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, u zotua të shtojë më tej shpenzimet ushtarake të vendit mes tensioneve të vazhdueshme me Turqinsë lidhur me armatosjen që Athina e bën në ishujt e Detit Egje që duhet të kenë status joushtarak, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një ceremonie të mbajtur dje për emërtimin e një anije të re raketore të sulmit të shpejtë të Marinës Greke, Mitsotakis tha se fuqizimi i forcave të armatosura të vendit do të jetë prioritet i qeverisë së tij konservatore-nacionaliste.

Duke iu referuar marrëveshjeve voluminoze të armëve të arritura së fundmi, duke përfshirë modernizimin e avionëve luftarakë F-16 të prodhimit amerikan dhe blerjen e fregatave të tipit FDI dhe avionëve luftarakë Rafael nga Franca, Mitsotakis tha se “çdo armë greke është një mjet parandalimi”.

Ai gjithashtu tha se blerjet e reja të armëve dhe rekrutimi për ushtrinë greke po bëhen përballë vështirësive të thella financiare.

Fjalimi i kryeministrit grek erdhi teksa qeveria e tij lufton kundër inflacionit rekord dhe rënies së fuqisë blerëse.

Inflacioni në vend aktualisht qëndron në mbi 11 për qind, niveli më i lartë prej tre dekadash.

Sipas entit grek të statistikave, ELSAT, çmimet e gazit natyror u rritën me 261,3 për qind në vit, çmimet e energjisë elektrike u rritën me 38,5 për qind, ndërkohë që çmimet e naftës për ngrohje me 65,1 për qind.

Dronët ushtarakë turq së fundmi regjistruan vendosjen e automjeteve të blinduara greke në ishujt Midilli (Lesvos) dhe Sisam (Samos), gjë që Ankaraja thotë se është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Pamjet u publikuan të dielën.

Siç njoftoi Ministria e Jashtme e Turqisë, të hënën u thirr ambasadori grek dhe u bë thirrje për t’i dhënë fund shkeljeve në ishujt e Egjeut dhe rivendosjen e statusit të tyre joushtarak.

Në një notë, Ministria tha se vendosja ishte një tjetër shkelje e detyrimeve të Greqisë sipas Traktatit të Lozanës të vitit 1923 dhe Traktatit të Parisit të vitit 1947, ku parashikohet që ishujt të çmilitarizohen. /aa

Exit mobile version