Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se këtë muaj do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të diskutuar fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, transmeton Anadolu.
“Mendoj se do të zhvillojmë biseda shumë të rëndësishme në fund të muajit se si të sigurohemi që kjo fazë e dytë të arrihet”, tha Netanyahu në një konferencë të përbashkët për media në Kudsin Perëndimor me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
Pas kthimit të pengut të fundit izraelit nga Rripi i Gazës, tha ai, “shumë shpejt, presim të kalojmë në fazën e dytë, e cila është më e vështirë ose po aq e vështirë sa faza e parë e armëpushimit”.
Grupi palestinez Hamas thotë se ka dorëzuar të 20 pengje të gjalla izraelite dhe mbetjet e të 28 të vrarëve.
Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Netanyahu tha se nuk do të tërhiqet nga politika edhe nëse i jepet një falje presidenciale për akuzat për korrupsion.
Javën e kaluar, kryeministri izraelit i paraqiti një kërkesë zyrtare presidentit izraelit, Isaac Herzog, duke kërkuar falje për akuzat për korrupsion që e kanë ndjekur për shumë vite.
Opozita izraelite i kërkoi presidentit Herzog të kushtëzojë çdo falje për Netanyahun me daljen e tij nga politika, duke theksuar se kërkesa përbën një pranim faji.
Në muajin janar, Netanyahu filloi seancat e marrjes në pyetje në lidhje me akuzat për korrupsion në rastet e përcaktuara 1000, 2000 dhe 4000, të cilat ai i mohon të gjitha.
Netanyahu gjithashtu përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, me Gjykatën Ndërkombëtare Penale që lëshoi urdhër-arreste ndaj tij dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, në nëntor të vitit 2024 për mizoritë në Gaza, ku mbi 70 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.
