Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar në Bruksel me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, transmeton Anadolu.
Rama po qëndron për vizitë në Bruksel, në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve më të lartë të BE-së.
Në një njoftim nga Kryeministria e Shqipërisë thuhet se në nisje të agjendës, kryeministri Rama u prit në një takim nga presidenti i KE-së, Antonio Costa.
Theksohet se Rama do të marrë pjesë në seancën plenare “Thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi i integrimit gradual” dhe mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, samiti synon të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
