Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri skocez, Hamza Jusuf jep dorëheqje

Kryeministri skocez, Hamza Jusuf jep dorëheqje

Kryeministri rajonal skocez dhe kreu i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), Hamza Jusuf dha dorëheqje nga detyra, transmeton Anadolu.

Jusuf në një konferencë për media në “Bute House”, rezidenca zyrtare e kryeministrit në Edinburg, kryeqyteti i Skocisë njoftoi se do të japë dorëheqjen si kryeministër dhe si lider i partisë.

Duke kujtuar se ata mbaruan marrëveshjen për ndarjen e pushtetit midis partisë së tij, SNP, dhe partnerit të saj të koalicionit, Partisë së Gjelbër Skoceze, javën e kaluar, Jusuf tha se nuk mund të parashikonte trishtimin dhe zhgënjimin që shkaktoi anulimi në Partinë e Gjelbër.

Jusufi deklaroi se nuk do të hiqte dorë nga parimet e tij vetëm për të mbajtur pushtetin dhe se ishte e mundur të fitonte votëbesimin duke bërë një marrëveshje, por pasi mendoi për pozicionin e tij gjatë fundjavës, ai preferoi të mos vazhdojë.

“Kam arritur në përfundimin se riparimi i marrëdhënieve përtej ndarjes politike është i mundur vetëm me dikë tjetër në detyrë”, tha Jusuf duke shtuar se do të vazhdojë detyrën si kryeministër derisa të zgjidhet pasardhësi i tij.

Ai tha se posti i kryeministrit rajonal skocez ishte një nder i madh për të dhe shtoi se dha dorëheqje në një kohë kur shihet afër pavarësia e Skocisë nga Anglia.

Duke kujtuar se në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri britanik është hindu, kryebashkiaku i Londrës është musliman dhe kryeministri rajonal i Uellsit është me origjinë afrikane, Jusuf theksoi se teza e atyre që thonë se multikulturalizmi ka dështuar në vend është përgënjeshtruar nga kjo situatë.

Jusuf tha se do të vazhdojë punën e tij si deputet. “Unë do të vazhdoj të jem zëri i atyre që nuk mund të dëgjohen gjithmonë brenda dhe jashtë vendit, siç është Gaza, e cila ka përjetuar dhe vazhdon të përjetojë fatkeqësinë më të tmerrshme humanitare para syve të botës”, tha ai.

Kryeministri skocez në dorëheqje tha se do të vazhdojë të mbështesë punën e partisë së tij, veçanërisht rëndësinë e pavarësisë së Skocisë.

– SNP dhe Partia e Gjelbër Skoceze vendosën të prishin koalicionin

Vendimi i Hamza Jusuf-it për të dhënë dorëheqje erdhi pasi partia e tij, SNP dhe Partia e Gjelbër Skoceze njoftuan se kishin përfunduar marrëveshjen për ndarjen e pushtetit mes tyre të enjten e javës së kaluar.

SNP dhe Partia e Gjelbër Skoceze vendosën të prishin koalicionin që vazhdonte prej 3 vitesh pas mosmarrëveshjes për objektivat e emetimeve.

– Hamza Jusuf u bë kryeministri i parë musliman i Skocisë

Jusuf, i cili fitoi garën për lider më 27 mars 2023, e cila filloi pas dorëheqjes së ish-kryeministres rajonale skoceze dhe udhëheqëses së SNP-së, Nicola Sturgeon, u betua dy ditë më vonë ndërsa më 29 mars zyrtarisht mori detyrën, duke u bërë “kryeministri i parë musliman i Skocisë”.

Babai i Hamza Jusuf-it është me origjinë pakistaneze dhe emigroi në Skoci në vitet 1960 ndërsa nëna e tij lindi në Kenia në një familje nga Azia Jugore.

Exit mobile version