Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri suedez: Provokimet kundër Turqisë dhe Islamit janë të rrezikshme për sigurinë

Kryeministri suedez: Provokimet kundër Turqisë dhe Islamit janë të rrezikshme për sigurinë

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson​​​​​​​ ka deklaruar se veprimet kundër Turqisë dhe Islamit të kryera kohët e fundit në vend kanë komplikuar sigurinë e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit me dyer të mbyllura për mediat që zhvilloi me liderët partiakë në Suedi, Kristersson dha deklarata lidhur me provokimet kundër Turqisë në vend nga mbështetësit e organizatës terroriste PKK/YPG, djegien e Kuranit dhe procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Ai tha se është e qartë se si ngjarjet e shënuara javët e fundit në Stockholm e kanë bërë komplekse sigurinë e Suedisë.

“Kemi parë që një kukull lodër e përngjasuar me presidentin Erdoğan u var nga këmba dhe më pas djegien e Kuranit para ambasadës së Turqisë në Stockholm. Veprimet e grupeve të vogla dhe individëve pavarësisht se janë të ligjshme në Suedi në javët e fundit, janë kthyer në një fushatë dezinformimi. E kanë treguar Suedinë një vend armik të Islamit. Kemi parë se si këto mund të shkaktojnë pasoja të mëdha dhe të rrezikshme për imazhin e Suedisë në botë dhe për sigurinë e suedezëve jashtë vendit”, tha Kristersson.

Kristersson: Ata që bëjnë këto veprime janë “idiotë të përdorshëm”

Pasi bëri të ditur se veprimet në fjalë u shërbejnë atyre që janë kundër Suedisë, Kristersson i ka cilësuar si “idiotë të përdorshëm” ata që bëjnë këto veprime.

“Suedia ndodhet përballë me rreziqet më të mëdha të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Partitë kanë mendime të ndryshme për çështjen e NATO-s. Kemi arritur në një situatë më të sigurt me miratimin e aplikimit të Suedisë nga 28 vende të NATO-s, por nuk duhet të injorojmë edhe faktin që nuk jemi ende anëtarë të NATO-s”, tha Kristersson i cili vuri në dukje se aplikimi i Suedisë për anëtarësim në NATO është i rëndësishëm.

Ai theksoi se këtë javë do të vizitojë SHBA-në dhe se do të zhvillojë takime rreth procesit të anëtarësimit të vendit të tij në NATO.

Diskutimet për organizatën terroriste PKK/YPG mes partive në Suedi

Liderja e Partisë Social Demokrate, Magdalena Andersson tha se lideri i Partisë “Demokratët e Suedisë” i ekstremit të djathtë, Jimmie Akesson me deklaratat kundër Turqisë, ka vendosur në rrezik anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe se qeveria duhet të ndalë bashkëpunimin me Partinë “Demokratët e Suedisë”.

Ndërsa Akesson në përgjigjen e tij ndaj Andersson tha se Partia Social Demokrate është në marrëdhënie të afërta me organizatën terroriste PKK/YPG dhe se në të vërtetë Turqia po reagon ndaj kësaj situate.

Exit mobile version