Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeparlamentari Xhaferi takon të dërguarin special të presidentit të Azerbajxhanit, Amerbayev

Kryeparlamentari Xhaferi takon të dërguarin special të presidentit të Azerbajxhanit, Amerbayev

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, priti në takim të dërguarin special të presidentit të Azerbajxhanit, Elçin Amerbayev, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në takimin me Amerbayevin, Xhaferi në emër të Kuvendit dhe në emër të tij ka përshëndetur presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe homologun e tij, kryetaren e Parlamentit të Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova. Xhaferi po ashtu ka falënderuar për ftesën e saj për të vizituar Azerbajxhanin në periudhën e ardhshme.

Xhaferi shprehu besimin se në periudhën e ardhshme së bashku me Azerbajxhanin do të punohet në forcimin dhe intensifikimin e komunikimit dypalësh si me takime në nivelin më të lartë ashtu edhe me grupet parlamentare për bashkëpunim të dy vendeve.

Ai theksoi mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, i cili, sipas tij, është ende në nivel jo të kënaqshëm, edhe pse ka potencial të madh për përmirësim.

Xhaferi shprehu interesimin e Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e energjisë dhe për anëtarësim në gazsjellësin TAP-Trans-Adriatik, për të cilin tha se kanë mbështetje të fortë nga Bashkimi Evropian (BE).

“Në kuadër të kryesimit tonë të OSBE-së këtë vit, ne mbështesim zgjidhjen paqësore të konfliktit ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë në rajonin e Karabakut dhe tejkalimin e bllokadave të Korridorit Laçin”, tha Xhaferi.

I dërguari special i presidentit të Azerbajxhanit, Amerbayev, falënderoi për mundësinë që të jetë mysafir në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, që paraqet edhe vizitën e tij të parë në Maqedoninë e Veriut.

Ai përcolli përshëndetjet e presidentit Ilham Aliyev për Maqedoninë e Veriut dhe për Kuvendin.

Amerbayev theksoi se axhenda e tij synon të kontribuojë në forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve si dhe njoftimin e Xhaferit me situatën e sigurisë në vendin e tij dhe negociatat e vazhdueshme midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, për t’i dhënë fund konfliktit të gjatë ndërmjet dy vendeve me marrëveshjen e arritur për pikat e procesit të paqes dhe pritshmëritë e zbatimit të tij.

“Ai u pajtua plotësisht me kryeparlamentarin Xhaferi se në periudhën e ardhshme duhet të bëhen përpjekje të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin në të gjitha fushat, veçanërisht në planin ekonomik dhe në zhvillimin e trafikut ajror dhe turizmit ndërmjet dy vendeve. Ai iu referua rëndësisë së Ballkanit Perëndimor për Azerbajxhanin në fushën e lidhjes energjetike me korridoret e gazsjellësit që kalojnë nëpër disa vende”, thuhet në deklaratë.

Exit mobile version