Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se vendi i tij nuk do t’i nënshtrohet kërcënimeve amerikane, pas vendimit të presidentit Donald Trump për vendosjen e një bllokade detare në Ngushticën e Hormuzit.
Duke folur pas kthimit nga bisedimet në Islamabad, Ghalibaf tha se Irani do të reagojë në mënyrë të vendosur ndaj çdo përshkallëzimi.
“Nëse ata luftojnë, ne do të luftojmë, dhe nëse vijnë me logjikë, do të përgjigjemi me logjikë. Nuk do të përkulemi para asnjë kërcënimi,” deklaroi ai për mediat.
Ai shtoi se Irani ka paraqitur propozime konstruktive gjatë negociatave me SHBA-në, të cilat, sipas tij, kanë ndihmuar në avancimin e diskutimeve, pavarësisht mosbesimit të thellë mes palëve.
Sipas mediave shtetërore iraniane, Ghalibaf i cilësoi si të pavlefshme paralajmërimet e fundit të Trump, duke theksuar se kërcënimet “nuk kanë asnjë efekt mbi popullin iranian”.
Zyrtari iranian gjithashtu theksoi se iniciativa e Teheranit synon të tregojë vullnet të mirë për arritjen e një marrëveshjeje, edhe në kushtet e tensioneve të larta. /mesazhi
