CENTCOM ka njoftuar se forcat amerikane do të fillojnë zbatimin e një bllokade ndaj gjithë trafikut detar që hyn dhe del nga portet iraniane, duke filluar nga 13 prilli në orën 10:00 sipas kohës lindore amerikane, në përputhje me urdhrin e presidentit Donald Trump.
Sipas deklaratës, bllokada do të zbatohet në mënyrë të paanshme ndaj anijeve të të gjitha shteteve që hyjnë ose dalin nga portet dhe zonat bregdetare të Iranit, përfshirë portet në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit.
Megjithatë, CENTCOM theksoi se nuk do të pengohet liria e lundrimit për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit drejt porteve jo-iraniane.
Autoritetet amerikane njoftuan se detaje shtesë do t’u komunikohen operatorëve detarë përmes njoftimeve zyrtare përpara hyrjes në fuqi të bllokadës.
Ndërkohë, marinarët janë këshilluar të ndjekin njoftimet dhe të kontaktojnë forcat detare amerikane përmes kanalit të komunikimit 16 gjatë operimit në Gjirin e Omanit dhe në hyrje të Ngushticës së Hormuzit. /mesazhi
