Kryetari i zgjedhur i bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani tha se kur të marrë detyrën javën e ardhshme do të luftojë vazhdimisht islamofobinë dhe racizmin kundër palestinezëve, transmeton Anadolu.
“Si kryetar bashkie do ta bëj detyrën time, të çmoj, mbroj dhe festoj të gjithë njujorkezët dhe të luftoj islamofobinë dhe racizmin anti-palestinez në çdo cep”, tha ai të martën mbrëma, duke lidhur bisedën e tij me një student palestinez i cili u përball me ngacmime dhe kërcënime me vdekje në internet pasi teoricienët e konspiracionit e fajësuan gabimisht për një të shtënë vdekjeprurëse.
Mamdani tha në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X se Mustapha Kharbouch, një student në Universitetin Brown, u shënjestrua pasi një foto qarkulloi në internet që e tregonte atë të mbante një ‘keffiyeh’, duke shkaktuar atë që kryetari i zgjedhur e përshkroi si islamofobi dhe racizëm anti-palestineze.
“Trashëgimia palestineze e Kharbouch ishte baza për identifikimin me qëllim keqdashës dhe kërcënimet me të cilat ai u përball”, tha Mamdani.
Në një telefonatë, Kharbouch i tregoi kryetarit të ardhshëm të bashkisë për interesat e tij akademike në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe antropologjinë, praktikën e tij verore në New York City dhe konsideratën e tij për të ndjekur një doktoraturë, siç tregoi Mamdani.
“I thashë Mustapha-it se do të na pëlqente shumë ta kishim përsëri në New York City”, tha Mamdani, i cili bëri histori duke u zgjedhur si kryetari i parë musliman i qytetit.
Mamdani pritet të betohet më 1 janar, ditën e Vitit të Ri.
