Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kthesa e madhe britanike ndaj Izraelit

Kthesa e madhe britanike ndaj Izraelit

Londra synon të godasë financiarisht kolonizimin sionist të territoreve palestineze

Britania e Madhe po përgatitet të ndërmarrë një nga hapat më të rëndësishëm ekonomikë dhe diplomatikë kundër politikës izraelite të kolonizimit të territoreve palestineze.

Qeveria laburiste ka konfirmuar se do të ecë përpara me një regjim të ri sanksionesh, i cili synon jo vetëm kompanitë që ndërtojnë vendbanime të paligjshme, por edhe rrjetin financiar dhe ekonomik që mundëson zgjerimin e tyre.

Sipas burimeve qeveritare të cituara nga Middle East Eye, Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, është i vendosur që masat të zbatohen pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në Izrael dhe nëse Benjamin Netanyahu do të vazhdojë apo jo të drejtojë qeverinë.

Procesi i plotë i zbatimit mund të zgjasë deri në nëntë muaj. Paketa e sanksioneve, e shpallur fillimisht më 8 shtator, parashikon disa masa konkrete.

E para është ndalimi i importit në Britani të mallrave të prodhuara në vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze. Kjo do të thotë se produktet që vijnë nga këto vendbanime nuk do të mund të tregtohen më ligjërisht në tregun britanik.

Masa e dytë synon kompanitë dhe individët që përfitojnë nga zgjerimi i kolonive. Qeveria britanike do të krijojë kompetenca të reja për të sanksionuar subjektet që ofrojnë shërbime ndërtimi, financimi të infrastrukturës dhe ndërmjetësimi imobiliar për projektet izraelite në territoret e pushtuara.

Në këtë kategori përfshihen edhe kompanitë që ofrojnë shërbime profesionale dhe financiare për zhvillimin e këtyre projekteve.

Një tjetër masë do të ndalojë reklamimin dhe promovimin e tokave dhe pronave të paluajtshme në vendbanimet e paligjshme.

Kjo prek drejtpërdrejt agjencitë imobiliare, platformat e shitblerjes dhe ndërmjetësit që promovojnë prona në territoret palestineze, duke ndihmuar në tërheqjen e blerësve dhe vendosjen e kolonëve të rinj.

Goditja më e rëndësishme mund të vijë nga sektori financiar. Nëse regjimi zbatohet plotësisht, bankat britanike, fondet e pensioneve dhe kompanitë e administrimit të aseteve do të detyrohen të tërheqin investimet nga kompanitë që operojnë në vendbanimet izraelite.

Institucionet financiare nuk do të mund të ofrojnë më kredi hipotekore, sigurime dhe shërbime të tjera financiare që mbështesin aktivitetin ekonomik të kolonive.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse kolonizimi nuk mbështetet vetëm te vendimet politike dhe ushtarake të qeverisë izraelite. Ai kërkon kapital, investime, kompani ndërtimi, infrastrukturë, sigurime dhe financim bankar.

Duke shënjestruar këto hallka, Londra kërkon të godasë mekanizmin ekonomik që e bën të mundur zgjerimin e vendbanimeve.

Për më tepër, Britania ka njoftuar forcimin e regjimit global të sanksioneve për të ndëshkuar personat përgjegjës për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Në këtë kuadër, janë vendosur masa ndaj kolonëve ekstremistë që kanë mbështetur ose nxitur dhunën kundër komuniteteve palestineze.

Numri i individëve të sanksionuar në këtë kategori ka arritur në 38. Londra ka paralajmëruar gjithashtu kufizime për eksportet ushtarake që kontribuojnë drejtpërdrejt në pushtimin e territoreve palestineze.

Kjo kthesë ka një domethënie të veçantë historike. Britania ishte dikur vendi që mbështeti krijimin e Izraelit, por sot duket e vendosur të ndëshkojë politikën e kolonizimit dhe spastrimin etnik që vazhdon në Bregun Perëndimor dhe në vendbanimet e tjera palestineze.

Zhvendosja e dhunshme e palestinezëve nga shtëpitë dhe tokat e tyre, përmes sulmeve të kolonëve, frikësimit dhe zgjerimit të vendbanimeve, po ndryshon me forcë përbërjen demografike të këtyre territoreve.

Vetë Miliband, e ka pranuar se në disa zona të Bregut Perëndimor, po ndodh spastrimi etnik i palestinezëve nga kolonët ekstremistë.

Një nga arsyet kryesore që e përshpejtoi vendimin britanik ishte projekti E1, i cili parashikon ndërtimin e mijëra banesave të reja midis Jerusalemit dhe vendbanimit Maale Adumim, rreth shtatë kilometra në lindje të qytetit.

Projekti synon të shtrijë më tej praninë izraelite në këtë korridor strategjik dhe do ta ndante praktikisht Bregun Perëndimor në dy pjesë, duke ndërprerë vazhdimësinë territoriale të zonave palestineze.

Kjo do ta bënte pothuajse të pamundur krijimin e një shteti të pavarur palestinez me territor të lidhur. Pas shpalljes së masave britanike, autoritetet izraelite shtynë njoftimin e fituesve të tenderëve për projektin E1 deri pas zgjedhjeve.

Megjithatë, Londra ka bërë të qartë se edhe nëse qeveria e ardhshme izraelite heq dorë nga ky projekt, sanksionet nuk do të anulohen. Ato synojnë të ndalojnë mbështetjen ekonomike për të gjithë aktivitetin e vendbanimeve të paligjshme, jo vetëm për një projekt të caktuar.

Për Britaninë, çështja tashmë nuk lidhet thjesht me marrëdhëniet dypalëshe me Izraelin. Qeveria e ka shpallur zyrtarisht të paligjshëm pushtimin e vazhdueshëm izraelit të territoreve palestineze, në përputhje me opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2024.

Kjo e bën politikën e re britanike një përpjekje për të përkthyer qëndrimin juridik në pasoja konkrete ekonomike.

Mbetet për t’u parë se sa shpejt do të hyjnë në fuqi të gjitha masat, por mesazhi politik i Londrës është i qartë: zgjerimi i vendbanimeve dhe shpronësimi i palestinezëve, nuk mund të vazhdojnë të përfitojnë nga financimi dhe tregjet britanike. \tesheshi

Exit mobile version