Disa nga reagimet e para ndërkombëtare pas sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit kanë ardhur nga Amerika Latine – dhe kanë qenë mjaft kritike.
Presidenti kuban Miguel Díaz-Canel i dënoi ashpër bombardimet, duke i cilësuar si një “përshkallëzim i rrezikshëm” dhe si një shkelje serioze e Kartës së OKB-së. Ai shtoi se veprimet e SHBA-së “e zhysin njerëzimin në një krizë me pasoja të pakthyeshme”.
Edhe Presidenti kilian Gabriel Boric e quajti të paligjshëm veprimin amerikan:
“Kili e dënon këtë sulm të SHBA-së,” shkroi ai në X. “Të kesh fuqi nuk të jep të drejtën ta përdorësh atë në kundërshtim me rregullat që si njerëzim kemi vendosur. Edhe nëse je Shtetet e Bashkuara.”
Meksika bëri thirrje për dialog dhe zbutje të tensioneve:
“Në përputhje me parimet tona kushtetuese të politikës së jashtme dhe bindjen tonë pacifiste, ripërsërisim thirrjen për de-përshkallëzim në rajon. Rivendosja e bashkëjetesës paqësore mes shteteve është prioriteti më i lartë,” shkroi Ministria e Jashtme e Meksikës në X.
Ndërkohë, Venezuela e dënoi po ashtu sulmin.
Ministri i Jashtëm Yván Gil tha në një deklaratë në Telegram se vendi i tij “e dënon fuqishëm dhe kategorikisht bombardimin e kryer nga ushtria amerikane, me kërkesë të shtetit të Izraelit”, duke bërë thirrje për “ndalim të menjëhershëm të armiqësive”. /mesazhi
