Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kujdes! Sot pëllumbat nuk janë më vetëm pëllumba…

Kujdes! Sot pëllumbat nuk janë më vetëm pëllumba…

Eksperimenti rus: nga shpendë të zakonshëm në biodronë të telekomanduar

Një zhvillim i fundit nga Moska, po trondit kufijtë midis biologjisë dhe teknologjisë sepse startup-i rus i neuroteknologjisë “Neiry”, pretendon se ka thyer barrierat e natyrës duke shndërruar pëllumbat e zakonshëm në biodronë mbikëqyrës.

Kjo është arritur përmes implanteve në tru, kompania synon të krijojë një rrjet vëzhgimi që është pothuajse i pamundur të diktohet. Në dallim nga dronët mekanikë që kërkojnë bateri dhe janë të zhurmshëm këta pëllumba funksionojnë përmes ndërfaqeve tru-kompjuter.

Procesi përfshin elektroda të vogla që futen në kafkën e shpendit për të stimuluar zona specifike bashkë me një çantë shpine diellore që furnizon me energji kontrolluesin dhe sistemin GPS ndërsa një kamerë e vogël e vendosur në gjoksin e pëllumbit transmeton pamje në kohë reale

Sipas drejtuesve të “Neiry”, çdo pëllumb bëhet i kontrollueshëm me radio menjëherë pas operacionit pa pasur nevojë për trajnim paraprak. Dhe përmes impulseve elektrike, operatori mund ta detyrojë zogun të kthehet majtas ose djathtas duke ndjekur një rrugë të paracaktuar dixhitale.

Po pse pikërisht pëllumbat? Arsyetimi i kompanisë, është sa praktik aq edhe rrëqethës pasi një pëllumb mund të fluturojë deri në 480 km në ditë pa pasur nevojë për karikim dhe mund të hyjë në hapësira ajrore të kufizuara pa ngjallur dyshime.

Alexander Panov, themeluesi i “Neiry” paralajmëron se ky është vetëm fillimi i projektit PJN-1 sepse në të ardhmen planifikojnë të përdorin korba për monitorimin e brigjeve apo albatrosë për zonat detare.

Ndonëse kompania ruse i reklamon këta biodronë për misione shpëtimi dhe inspektim industrial, ekspertët ndërkombëtarë janë skeptikë dhe ekziston një frikë e madhe se kjo teknologji mund të përdoret për mbikëqyrje të fshehtë ushtarake nga regjimi i Putinit.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse ky projekt është vërtet një sukses teknologjik apo thjesht një tjetër pretendim i fryrë duke pasur parasysh dështimet e mëparshme të teknologjisë ruse në skenën globale. /tesheshi

Exit mobile version