Ballina Autorë Opinione Kujtimi për heronjtë mes dialogut të brendshëm lirik dhe meditimit shpirtëror

Kujtimi për heronjtë mes dialogut të brendshëm lirik dhe meditimit shpirtëror

Fitim Veliu

Poezia dhe vdekja është një libër i shkruar dhe i menduar në një sistem të veçantë poetik, pra libri e tejkalon një përmbledhje poetike, meqë protagonistët në këtë libër dalin në formë të sistemit kategorial: personazhe të ndodhisë e dëshmisë, protagonistë të gjallë që rrëfejnë atë që ka ndodhur.

Shkruan: Fitim VELIU, Skënderaj

Poeti shqiptar, Milazim Krasniqi, me përmbledhjen e fundit poetike Poezia dhe vdekja sjell temën e jetës në ndeshje me vdekjen, dy kode të mëdha përballë të cilave qëndron veli i hollë i kujtimit të heronjve të gjallë, të atyre që vdekjen e panë me sytë e trishtimit, e përjetuan me dhimbjen si formën e vetme të “ushqimit” dhe, në fund, u përballën me zhgënjimin e një jete për të cilën dhanë e thanë mes lotëve të dëshpërimit.

Sabri Popaj dhe personazhet e tjerë vijnë në këtë përmbledhje si heronj të gjallë, të cilët shpalojnë kujtime drithëruese të netëve të tmerrit që u ngjajnë skenave të ferrit të Dantes, për të cilat kemi lexuar, kurse tashmë, nga këta protagonistë, ne këto skena i lexojmë dhe i deshifrojmë përmes personazheve që skenën e tillë e kanë jo vetëm formë të kujtesës, por edhe dhimbje të përjetuar në përmasën me të rëndë fizike e shpirtërore.

Poezia dhe vdekja është një libër i shkruar dhe i menduar në një sistem të veçantë poetik, pra libri e tejkalon një përmbledhje poetike, meqë protagonistët në këtë libër dalin në formë të sistemit kategorial: personazhe të ndodhisë e dëshmisë, protagonistë të gjallë që rrëfejnë atë që ka ndodhur. Aty janë Sabri Popaj, Xheva e shumë të tjerë, si personazhe të ndodhisë (ata që tashmë nuk janë më, për të cilët flasin të parët, pra të gjallët, por edhe personazhet e tipit të personaliteteve politike, kulturore e historike, si Ukshini, Nekibja, Agani, Latifi e Maloku, që në këtë libër dalin si personalitete për të cilët poeti Krasniqi shpalos kujtimin personal e dhembjen kolektive përballë kodit nacional dhe diskursit personal të etnisë shqiptare e etikës personale për shokët e tij, me të cilët dikur e ndau dhe e çau fatin tonë kolektiv. Sot, Krasniqi i kujton, por edhe i shënjon figurat historike/etnike, ata të cilët i dhanë emër lirisë e pavarësisë sonë me dijen e tyre në rrafshin e meditantizmit, por edhe me jetën e vdekjen, duke u bërë heronj të shekullit shqiptar, meqë i takojnë një formacioni të njëjtë të periudhës historike e politike. Mes tyre rri Krasniqi, që dëfton e kujton, personazhi i gjallë i dëshmive, i cili i thurë kujtimet personale për shokët e vrarë për kauzën nacionale. Pra, përballë këtij dialogu heronjsh, mes të gjallëve e të vdekurve, poeti thurë kujtimet e dhimbjet, për ta mbajtur gjallë kujtesën e për ta shembë harresën si një klithje që në këtë tekst vjen si nëntekst dhe si një soditje e rëndë ku harresa e asaj që ka ndodhë tashmë vjen në formën me të rëndë të dëshpërimit nga ai që pa gjithçka me sytë e tmerrit, gjithë skenën e ferrit:

Dhembjen dhe frikën unë i mposhta vetë

Me durimin qe se nga vinte e më bënte trim

Ndërsa lirinë time tashmë e ruaj për jetë

I arratisur nga liria juaj që e ndotët me krim.

Arratisja e heroit nga realiteti i ri me shenja të zvetënimit moral e kriminal, në fakt është hyrje në asimilimin personal, meqë këtë teoremë e dëshmon edhe poetika e diskursit historik, kur arratisja përjetohej si shpëtim, e në fakt ishte hyrje në asimilim. Dhe, kjo në fakt e prodhon teorinë e idesë universale se në jetën e ndodhur e të ndotur me shenjat e krimit e të zvetënimit, qëndrimi përballë sjell mundësinë e ndryshimit të sistemit e mjedisit. Sabri Popaj, heroi i këtij vëllimi poetik është hero i asaj që ka ndodhur, po ndodhë e do të ndodhë. Ky dialog i komunikimit të kohëve e prodhon vlerën poetike e estetike të kësaj përmbledhjeje poetike për t’u shpall kredo e pavdekshme. Popaj është hero i një ngjarjeje tragjike, asaj të krimit të ndodhur në vitin 1999. Më pas, Popaj e rrëfen këtë krim nga pozicioni i dëshmitarit të ngjarjes së ngritur në fakt e akt, kurse koha e ardhme është porosi e breznive. Të shohim se si komunikojnë tri kohët në vargjet poetike të Krasniqit nëpërmjet figurës retorike:

Por lirinë që e shkërryeni a e meritoni

Emrat e të vdekurve në shishe i shënoja

Ajo u derdh nga gjaku i Agronit dhe Shëndetit

Në mal kam dalë fillikat, me dhen.

Shenja si dëshmi

Plisi, si dëshmi, e dhimbja, si histori, kanë prodhuar jetën e vdekjen si relacion të shenjave të komunikimit në jetën e njeriut deri në shkrirje. Plisi, si shenjë e etnisë shqiptare, madje si farë deri në përmasa legjendare, është dhënë në statusin kategorial të jetës me vdekjen. Për shqiptarin plisi e vdekja qëndron mbi kokë, njëra si dëshmi e identitetit etnik, plisi, kurse vdekja si fije e hije që qëndron mbi kokën e plisin, si akt i përmbylljes së jetës. Për shqiptarin plisi e vdekja jetojnë e veprojnë mbi fatin e tij, tragjik edhe në rrafshin personal dhe atë kolektiv.

Po, shumë gjak, shumë, shumë

Gjak shqiptari ndër epoka

S’jam as i pari, as i fundit unë

Qe vdekja me rri plis te koka.

Poezia melike

Libri “Poezia dhe vdekja” thuret sipas poetikës së diskursit klasik lirik dhe shenjë themelore e kësaj janë poezitë, të cilat e bartin shenjën e përkushtimit, shkrimit, rrëfimit e dashurisë për personazhet që në këtë libër dalin në rolin e përkujtimit. Nekibja, Uka, Maloku, Agani e Latifi janë heronj të tekstit, të cilët poetizohen si figura të dhembjes kolektive, meqë misioni i tyre bart shenja të tragjikes shqiptare, të fatit kolektiv të dhënë me nota të dhembjes personale/autoriale. Krasniqi i rikthen figurat e mëdha të historisë shqiptare si imazh kolektiv, si fytyrë e pasqyrë, si shenja që duhen ecur në gjurmët e tyre. Nekibja, personazhi i dhembjes familjare, është dhënë në poezi nga pozicioni i vetërrëfimit në kërkim të katarsisit shpirtëror me tekstin e shenjtë, Kuranin, për ta mundur dhimbjen shpirtërore e për ta ruajtur gjendjen mendore:

Tërë natën rri mbi këtë libër të shenjtë

Lexoj shkronjë mbas shkronjë, fjalë për fjalë

Balli më është rënduar, sytë më janë ënjtë

Lotët pa pushim derdhin mërzinë valë-valë.

Ndërkaq figura e Ukshin Hotit është ravijëzuar si fiksim pritjeje e keqkuptim pozicioni politik. Autori e rikthen figurën e Hotit si askohë, meqë mungon Hoti si person fizik, Milazimi Krasniqi e rikthen si aspekt të etikës kolektive, që nuk punon për fatin e tij, meqë ai vuan për një varr, fillimisht si shtrat, e pastaj si fat që do ta përmbyllte fatin e pritjes si mit poetik e si fat historik. Hoti, si pritje, hyn në rendin e figurave që e krijuan mitin e Penelopës e Godosë.

Po pres këtu në askohë për një varr

I keqkuptuar si një sentencë latine

Ju bëni sikur e gëzoni lirinë, o shqiptarë

Por liri s’keni pa ndjesën time.

Krasniqi, i kujton shokët e idealit kombëtar, me të cilët punoi e veproi për kauzën e madhe shqiptare, ndaj me mjeshtri i ndërton figurat e kauzat për t’i përjetësuar në poetikën e vargut estetik në korrelacion me dokumentin historik. Këtë ndërlidhje Krasniqi e ndërton me vetëdije për të dhënë letërsinë e historinë si shtrirje e shkrirje, dy poetika që mëtojnë të dëshmojnë, njëra atë që ka ndodhur e tjetra që ka mundur të ndodhë. Këtë teori e dëshmon vargu për dijetarin, Fehmi Agani, i cili u vra në luftën e fundit të Kosovës.

Por as treni as rruga nuk kishin faje,

për vuajtjen tonë tejmitike

Rruga e treni bartnin dënesa e vaje

Si të dala nga skenat e tragjedive antike.

Agani, intelektuali shqiptar që ia dha fatit tonë vulën e lirisë, është dhënë me nota të rënda të dhimbjes, pikëllimit e zisë, për ta sforcuar figurën historike përballë tragjedisë shqiptare me atë antike. Të gjitha personazhet e ciklit të parë të titulluar “Liria nuk ua mban mend emrat” janë dhënë me figurën e ironisë në rrafshin e nëntekstit, kur thuhet diçka që në rrafshin e drejtpërdrejtë nënkuptohet nënteksti duke u përjashtuar teksti. Me këtë përmbledhje poetike, Milazim Krasniqi arrin ta shkrijë bashkë historinë e letërsinë, si fakt e dokument, së pari dhe si poetikë letrare së dyti, ndërsa me krejt këtë diskurs poeti, Milazim Krasniqi, arrin ta ngrejë në monument të përjetshëm veprën e atyre që i dhanë e i thanë shumë çështjes sonë kombëtare. Tashmë emrat e këtyre protagonistëve, personazheve të poezive, jetojnë si dëshmi e kohës, si histori reale e poetikë letrare. /shenja

Exit mobile version